“Policia e Shtetit sot është përpara disa sfidave të rëndësishme”,
kështu u shpreh këtë të hënë Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i pranishëm në Forumin Qytetar për Sigurinë Publike, që po zhvillohet në Elbasan.
Si një prej sfidave më të mëdha, Xhafaj veçoi luftën kundër krimit të organizuar. Ai tha se operacioni Forca e Ligjit ka qenë tepër i suksesshëm, duke goditur 7 grupe kriminale në pak muaj dhe duke skeduar shumë të tjerë.
“Brenda pak muajve kemi arritur të skedojmë të gjitha grupet kriminale që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe jashtë vendit në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale. Dhe jo vetëm kemi evidentuar cilat janë këto grupe kriminale, por në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë (Prokurorisë së Rretheve Gjyqësore dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda) kemi mundur të godasim një pjesë të rëndësishme të tyre. Jemi ende në fillimet e këtij operacioni, janë vetëm 3-4 muaj dhe kemi goditur 7 grupe të tilla kriminale, me rreth 100 persona të arrestuar, drejtues apo anëtarë të tyre”.
Ndërsa duke iu referuar grupeve kriminale në Elbasan, Xhafaj u shpreh se
“Kemi këtu 2-3 grupe kriminale të cilat i njohim shumë mirë. Po punojmë për to, për të dokumentuar, në mënyrë që shumë shpejt të mund t’i vëmë para përgjegjësisë penale”.
“Për secilin prej tyre duhet të jetë shumë e qartë që Policia do t’ua nxijë jetën, në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë, të ndëshkohet në formën e saj më të ashpër. Sepse krijojnë shqetësime për sigurinë, rendin, jetën e qytetarëve, ekonominë, pasurinë. Dhe këtu ne jemi në një betejë pa kompromis. Jemi të vendosur për t’u shkuar deri në fund kësaj përballjeje. Sepse jemi të bindur se jemi thjesht duke bërë detyrën. Detyrën në zbatim të asaj që na ngarkon Kushtetuta dhe Ligji. Detyrën në shërbim të qytetarëve”
, tha Xhafaj duke theksuar se shteti është më i fortë se çdo kriminel.
Ministri pranoi se edhe në radhët e Policisë së Shtetit ka policë që nuk e meritojnë të shërbejnë nën uniformë. Por Xhafaj garantoi se Vettingu që ka nisur në strukturat e policisë do t’i largojë këta efektivë nga sistemi.
Pas deklaratave të Ministrit Xhafaj, reagoi nënkryetari i PD, Edi Paloka, i cili e konsideroi skedimin e grupeve kriminale një film të vjetër.
“Është gjë e mirë që, pas 5 vjetësh në pushtet, qeveria thotë se ka skeduar grupet kriminale dhe do t’i godasë, por ky është një film i parë 5 vjet më parë. Atëherë u premtua se brenda 300 ditëve do të vendosej rendi dhe siguria dhe krimit do të shtypej, por ajo që ndodhi ishte kanabizimi i vendit dhe një Ministër i Brendshëm në krye të trafikut të drogës, që sot duhet të ishte në burg”.
Sot
,
tha Paloka më tej,
Fatmir Xhafaj duhet të japë përgjigje: A e ka skeduar të vëllain Agron Xhafaj, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktualisht është një nga kokat e trafikut të drogës në Vlorë? A e ka skeduar grupin e Arbër Çekaj, të drogës kolumbiane, ku bën pjesë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit? A e ka regjistruar grupin e Qazim Sejdinit dhe dhëndrit të tij në Elbasan, ku përfshihet edhe kompania e gruas së Sejdinit, që është nën hetim për trafik droge? A e ka rregjistruar grupin e Lulzim Berishës dhe Emiljano Shullazit?”.
Nënkryetari i PD u shpreh më tej se nëse vërtet do që të luftojë krimin e organizuar dhe lidhjet me qeverinë e Ramës, përgjigjet për këto pyetje Fatmir Xhafaj duhet t’i bëjë publike dhe t’i kërkojë ndihmë çdo qytetari që ta ndihmojë.
/tvklan.al