Dorëheqja e papritur dhe ende pa një shkak zyrtar të ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe periudha në pritje të dekretimit nga presidenti të Ministrit të ri Sandër Lleshi, po përjetohet më tepër brenda kupolës së Policisë së Shtetit.
Largimi i Xhafajt dhe ardhja e Lleshit pritet të shoqërohet edhe me ndryshime brenda stafit drejtues të policisë, ndryshime që priten të prekin edhe drejtoritë në rrethe.
Kjo përligjet pak a shumë edhe me vetë deklaratën e Kryeministrit Rama në Twitter, ku pranon dorëheqjen e Xhafajt dhe ku kërkon më shumë shpejtësi dhe rezultate domethënëse. Shpejtësi dhe rezultate, të cilat gjithsesi është vetë Policia e Shtetit që duhet t’i sigurojë.
Vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu mund të jetë i pari që mund të lerë detyrën. Detyrë që e mori vetëm pak muaj më parë, mes akuzash nga opozita se kishte thyer ligjin për Policinë e Shtetit, pasi nuk përmbushte as vjetërsine në punë pa ndërprerje brenda radhëve të policisë dhe nuk kishte as gradën përkatëse. U prit derisa Veliu mbaroi kursin për marrjen e gradës madhore dhe menjeherë më pas erdhi largimi i ish-drejtorit Çako dhe emërimi i tij.
Nga eksperienca e deritanishme, në 5 vjet qeverisje, si ish-Ministri Tahiri ashtu edhe ish-Ministri Xhafaj kanë punuar me personat që kishin përzgjedhur vetë si Drejtorë të Përgjithshëm të Policisë, ndaj edhe në rastin konkret të një Ministri të ri nuk mendohet se kjo strategji do të prishet.
Pasi si rezultatet më domethënëse ashtu edhe shpejtësia në punë, pritet t’iu kërkohet pikërisht drejtuesve të policisë nga Ministri i ri i Brendshëm.
Edhe pse puna brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka vijuar si çdo ditë, tensioni nga ndryshimet e mundshme dhe përfolja e kandidatëve të radhës ndihej sot në çdo kat të godinës blu.
Burime të Televizionit Klan pohojnë se në rast ndryshimi, Drejtor i Përgjithshëm do të zgjidhet një oficer, i cili e përmbush edhe vjetërsinë në punë pa ndërprerje, si dhe me gradën madhore që përmbush kushtin e emërimit për detyrën e kryepolicit shqiptar, një oficer me gjasë nga radhët e atyre të lënë në detyra dytësore e ndoshta edhe më poshtë nga drejtuesit aktual të Policisë së Shtetit.
Tv Klan