Një ditë pas vrasjes mafioze në qendër të qytetit të Durrësit ku mbeti i vrarë 43-vjeçari, Arian Saliu, dhe mbeti i plagosur 35-vjeçari, Denis Hoxha, policia ka arritur të zbardhë tërësisht skemën e vrasjes.
Ajo është e njëjtë me atë të ekzekutimit të Ervin Çukjes, person i akuzuar për vrasjen e vëllait të Arian Saliut, Ndriçim Saliut, Korrikun e vitit të shkuar.
Kjo i përforcon edhe më tepër dyshimet për pistën e hakmarrjes mes grupeve rivale të bandës së Durrësit të ndarë në dy pjesë për mosmarrëveshje mes ish-krerëve të saj, Lul Berishës dhe Klodian Saliut.
Pas marrjes në pyetje të një numri të madh dëshmitarësh dhe kalimtarësh të rastësishëm policia ka arritur në përfundimin se Arian Saliu është qëlluar me automatik tip “Scorpions” nga dy persona të cilët po udhëtonin me një motor në rrugën “Mujo Ulqinaku”.
Ai është ekzekutuar në kohën që po dilte nga makina e tij tip “Golf 5” me targa të huaja, ndërsa 35-vjeçari Denis Hoxha nuk ka dalë nga sendilja e shoferit.
Arian Saliu ka marrë një breshëri plumbash në gjoks dhe në kokë dhe për pasojë ka vdekur menjëherë.
Lidhur me krimin policia ka arrestuar si të dyshuar rreth 20 persona, ndërkohë që mendohet që vrasja të jetë kryer nga persona me pagesë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani