Grupi hetimor i policisë së Tiranës u rikthye sërish në vendin e ngjarjes, ku mbeti i vrarë 52-vjeçari Eduart Reçi. Rikthimi i policisë erdhi pas kërkesës së prokurorisë për të përcaktuar vendin se ku ishte vendosur autori që qëlloi me 1 plumb biznesmenin. Nga provat e kryera pranë rrugës “Faik Konica” në kryeqytet rezulton se agresori mund të ketë qenë në një pallat të vjetër me tulla të kuqe që nuk është shumë larg shtëpisë së ndërtuesit. Matja tregoi se vrasësi nuk ka qenë në tarracë, por në katet më të ulëta të godinës. Pavarësisht kësaj grupi hetimor ka akoma paqartësi ndaj pritet që në ditët në vijim të rikthehet sërish për matje të tjera.

Burime nga policia bëjnë me dije se arma e përdorur në vrasje dyshohet të jetë pistoletë sportive e llojeve të reja, ndërsa po pritet ekspertiza e predhës, e një kalibri të vogël, 5.65 mm.

Vrasja e Eduart Reçit vijon të jetë mister për policinë dhe prokurorinë. Hetuesit dyshojnë se është organizuar dhe ekzekutuar nga profesionist të një niveli të lartë, për të cilët akoma nuk ka asnjë gjurmë, pamje apo prova. Edhe pas kaq ditësh, hetuesit po kontrollojë me detaje pamjet e kamerave në zonë, por asgjë e dyshimtë nuk ka rezultuar. 52-vjeçari profilizohet nga fqinjët si natyrë konfliktuale, çfarë ia vështirëson punën hetuesve, duke hapur kështu disa pista, nga pronat, biznesi dhe konflikte të fundit me njerëz të tjerë.

Eduart Reçi u qëllua mbrëmjen e 13 nëntorit, në sheshpushimin e pallatit ku ai jetonte dhe ra në tokë pa e kuptuar njeri. Bashkëshortja e viktimës i tha hetuesve se fillimisht mendoi që u rrëzua nga ndonjë mbetje fishekzjarrësh që shpërthyen si kamuflim në të njëjtin moment kur u qëllua me armë. Në 2015-ën biznesmeni ka bërë një kallëzim në polici për probleme pronash, i cili më vonë raportohet se është pushuar me vendim të prokurorisë.

Klan News