Një punonjës policie dhe i vëllai janë autorë të vrasjes së biznesmenit 52-vjeçar Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur në 13 nëntor të këtij viti pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë. Shkëlqim dhe Florian Duka janë arrestuar nga policia si autorë të ngjarjes së rëndë.

“Sipas policisë, shkak për vrasjen e biznesmenit e 52-vjeçar është bërë një konflikt që ai kishte me dy vëllezërit sa i përket pronësisë së një trualli në të cilin do të ndërtohej një pallat”.

Eduart Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, projekt i cili kërkonte bashkëpunim dhe dakordësi edhe me persona të tjerë që kishin pronën ngjitur. Përplasjet për ndërtimin e pallatit dhe për pronat kanë sjellë konfliktin mes efektivit të policisë së Komisariatit Nr. 2, Shkëlqim Duka dhe vëllai të tij Florian Duka me ndërtuesin Reçin.

Biznesmeni u qëllua nga një pistoletë moderne me silenciator sapo kishte dalë nga hyrja e pallatit në oborrin e ndërtesës. Polici Shkëlqim Duka ishte pozicionuar në këtë pallat në një distancë rreth 30 metrash larg nga viktima. Duke qenë se aftësitë e tij në qitje ishin të larta, ai e ekzekutoi viktimën vetëm me një plumb. 

Me urdhër të gjykatës, policia ushtroi kontroll në banesën dhe lokalin e dy vëllezërve ku janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike të ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Dy vëllezërit Duka akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Klan News