Për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Eduard Reçi, policia siguroi prova të rëndësishme për të akuzuarit si autorë të saj, vëllëzërit Duka.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se ata e kanë ruajtur biznesmenin 5 ditë para se të kryenin krimin. Gjatë ditës së ngjarjes, oficeri i policisë, Shkëlqim Duka ka qëndruar në zonë që prej orës 19:00 deri në orën 23:00 kur ndodhi edhe vrasja. Nga kqyrja e pamjeve, ka rezultuar se ai ka qëndruar i fshehur në shkallët e emergjencës së një hoteli pranë vendit të krimit.

Hetuesit kishin marrë informacion në rrugë operative se biznesmeni Reçi kishte konflikte pronësie me dy vëllezërit.

Oficerë të sektorit për hetimin e krimeve kanë marrë në pyetje vëllezërit Duka, veçmas njëri tjetrit. Oficeri i komisariatit numër 2, Shkëlqim Duka, i cili dyshohet se ka qëlluar 52-vjeçarin, nuk ka pranuar të flasë para kolegëve të tij. Ndërsa i vëllai Florian Duka ka mohuar të ketë dijeni apo lidhje me ekzekutimin e biznesmenit.

Sipas policisë, shkak për vrasjen e biznesmenit 52-vjeçar është bërë një konflikt që ai kishte me dy vëllezërit, sa i përket pronësisë së një trualli në të cilin biznesmeni do të ndërtonte një pallat.

Të shtunën, në 23 Nëntor, policia ushtroi kontrolle në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve. Në magazine e biznesit të tyre u gjet një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë silenciatorë me përmasa të ndryshme, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Klan News