Autoritetet greke kanë lejuar kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, kamionëve dhe autobusëve drejt Greqisë nëpërmjet doganës së Kapshticës. Gazetarja Daniela Zisi raporton se rruga e bllokuar në vendin fqinj tashmë është e hapur dhe mund të kalojnë lirisht të gjitha mjetet.

Kujtojmë se gjatë ditës në doganën e Kapshticës qëndruan në radhë kamionë dhe autobusë të shumtë në pritje për të kaluar kufirin.

Në fakt, një ditë më parë, policia greke njoftoi atë shqiptare, se prej orës 17:00 të së dielës nuk lejohej lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) nëpërmjet Kapshticës në drejtim të Greqisë.

Ndërkohë njoftohej se do lejohej vetëm kalimi i autoveturave dhe autobusëve, të cilat duhet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë.

Por siç mund ta shikoni në pamjet e siguruara nga gazetarja Zisi, përveç kamionëve, edhe autobusët u detyruan të parkohen pranë pikës kufitare teksa e gjithë zona është zbardhur si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës./tvklan.al