Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Fadroma e policisë ndërtimore, ka shkatërruar sot rreth 15 objekte pa leje, para fakultetit të Mjekësisë. Aksion i sotëm që drejtohej nga drejtori i përgjithshëm i policisë ndërtimore, Mit’hat Havari, ndeshi në një lloj rezistence nga pronarët e objekteve pa leje. Por pas urdhrit të prerë të Havarit, fadroma shkatërruese u bë gati, duke detyruar të zotët e ndërtesave të nxjerrin rrobat brenda 30 sekonda.
I mbështetur edhe nga forcat e policisë, fadroma shoferi i të cilës, u qëllua pak ditë më parë me plumba pistolete, ndërsa punonte, ka rrafshuar objekte të cilat pengonin hyrje daljet por dhe pamjen e fakultetit të Mjekësisë. Drejtori i Policisë Ndërtimore Mit’hat Havari, i cili ndodhej vetë në aksion, për Klan tha:
Mit’hat Havari:- “Këto po prishen pasi janë ndërtesa të paligjshme, janë problem për banorët dhe problem për shtetin. Kam qenë gjithmonë i parimit, shtet ka gjithnjë, sa herë ai do të veprojë. Jo vetëm ndaj këtyre ndërtesave, që unë do t’i quaj të rëndomta, por edhe ndaj ndërtimeve që janë bërë nëpër shkolla, në pallate shumë katëshe etj, shteti do të tregojë forcën e vetë edhe në të ardhmen”.
Aksioni i sotëm, ashtu siç thotë edhe Havari, do të vazhdohet edhe nga të tjerat. Kjo pasi është rakorduar puna dhe me specialistë e drejtues të bashkisë së kryeqytetit, për një Tiranë më të pastër e më të rregullt./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj