Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Policia e shtetit vazhdon të jetë në gjendje gatishmërie të përforcuar në kuadër të masave anti-terror, por gjatë ditës së sotme kontrollet e forta të sigurisë policore të 48 orëve të fundit, i kanë lënë vendin një dite të qetë, të shpenguar në bulevardin e Tiranës.

Pas kontrolleve të shumta të realizuar në hyrje të kryeqytetit, në stacionin e trenit dhe në afërsi të godinave shtetërore, efektivët blu kanë qenë më të shpenguar dhe jo nën presionin e kontrolleve në kuadër të planit antiterrorizëm. Në gatishmëri të plotë kanë qenë gjatë paradites festive dhe efektivët e policisë rrugore, të cilët janë ndihmuar në menaxhimin e trafikut dhe nga efektivët e rendit.

Festa e Verës ka shndërruar të dielën në një ditë me trafik të tej ngarkuar dhe mjaft problematik për ata që kanë qarkulluar me automjete. Bllokimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe fluksi i mjeteve të ardhura dhe nga rrethet për të festuar në Tiranë ka shkaktuar varg të gjatë automjetesh që prisnin në hyrje dhe në dalje të kryeqytetit, si dhe në kryqëzime./tvklan.al