Autoritetet ligjzbatuese kanë mundur që të zbardhin dhe të dokumentojnë me prova ligjore grabitjen me dhunë dhe nën kërcënimin e armës të një shume të konsiderueshme parash në banesën e biznesmenit Nazmi Çangu, ngjarje e ndodhur në fund të muajit Tetor.
Policia e Krujës, në bashkëpunim me policinë e Durrësit dhe Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë së Krujës zhvilluan operacionin policor “Kasaforta”. Në kuadër të këtij aksioni është arrestuar në flagrancë Saimir Kuçi, banues në Tiranë. Po ashtu është shpallur në kërkim Artan Prenga dhe disa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
“Ky operacion u zhvillua pas një pune hetimore dhe gjurmuese të bërë nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit në nivel vendor dhe qendror, me kontributin profesional të Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, duke bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore se shtetasi Artan Prenga, në bashkëpunim me persona të tjerë, është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 24.10.2021, në fshatin Nikël të rrethit Krujë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka gjetur si pasojë e disa kontrolleve në banesa 14 telefona, 1 palë pranga, armë të ftohta, drogë, 1 bllokues valësh pajisje elektronike, detektor për kërkim sendesh të çmuara, një maskë bashkë me doreza, ora të markave të ndryshme me vlerë, bizhuteri floriri, koleksion monedhash (60 monedha të vjetra të shteteve të ndryshme).
Materialet iu kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprime të mëtejshme.
Burime për Klan News bëjnë me dije se Saimir Kuçi është një emër i njohur për policinë, pasi është arrestuar edhe më parë pikërisht për grabitjet dhe vjedhjen e disa kasafortave dhe bizneseve në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit.
Mbi Kuçin i cili ishte dhe ‘koka’ e grupit të vjedhjeve dhe ndaj 4 anëtarëve të tjerë rëndojnë akuzat për 11 grabitje në Tiranë, Durrës, Kavajë, Laç, Lezhë dhe Berat nën kërcënimin e armëve me vlerë deri në 650 milion lekë gjatë periudhës 2017-2018./tvklan.al