Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë tepër të veçantë të 31-vjeçares, Luljeta Osmani. Ajo është një punonjëse e policisë, në grupin e shigjetave.

Në studio, Osmani rrëfeu për këtë profesion dhe u ndal edhe tek një nga momentet më të vështira gjatë 5 viteve punë. Ajo u shpreh se në një nga protestat e zhvilluara vitin e kaluar, ajo ka mbetur e shokuar dhe është prekur së tepërmi sepse kolegia e saj humbi gishtërinjtë, ndërsa kolegu humbi dëgjimin në njërin vesh.

Fatmirësisht kolegia e saj është mirë, për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale që u krye, por Luljeta shprehet se situata të tilla janë tronditëse.

Mirela Milori: Cili është momenti më i vështirë që mban mend nga kjo punë?

Luljeta Osmani: Është pak e sikletshme të kujtosh të tilla gjëra. Të paktën prej 5 viteve punë që unë kam, momenti më i vështirë ka qenë një ndër protestat, ku bashkë me kolegen time dhe kolegët e tjerë, ku u plagosën, u dëmtuan.

Mirela Milori:  Është rasti i Inës?

Luljeta Osmani: Po rasti i Inës! Kolegu tjetër, Genti që unë kam punuar më së shumti, kemi patrulluar, që kam edhe marrëdhënie shoqërore, familjare dhe ai sot në një vesh nuk dëgjon. Ka humbur dëgjimin.

Mirela Milori: Pra është rasti i protestës së viti të kaluar, në mos gaboj?

Luljeta Osmani: Po!

Mirela Milori: Ku policia, ne e njohim të gjithë rastin e polices Ina, që pati humbjen e gishtërinjve, por për fat të mirë, u bë një ndërhyrje kirurgjikale, ndërkohë që kolegu tjetër ka një vesh të shurdhuar përfundimisht, si pasojë e atij shpërthimi në atë moment. Ti ke qenë aty në atë moment?

Luljeta Osmani: Unë kam qenë pranë, kam ngelur e shokuar, e tronditur normalisht. Jam prekur jashtëzakonisht shumë dhe besoj që mos përsëriten të tilla gjëra, kaq tronditëse!

Mirela Milori: Çfarë presioni është kur ke përpara protestues që janë agresiv, që mund të dalin jashtë kontrollit, të cilët fyejnë? Sa e vështirë është të mos tejkalosh kompetencat, të respektosh vetëm uniformën dhe jo atë ndjeshmërinë tënde si njeri?

Luljeta Osmani: Një pyetje shumë e bukur, që unë kam dashur gjithmonë ta them me zë të lartë. Është shumë e vështirë të përballesh me situata të tilla ose me qytetarë agresivë, me dhunë psikologjike dhe verbale. Dua të them që dhe njerëz jemi, ok jemi trajnuar, jemi stërvitur, por fundja kemi gjak, nuk kemi ujë. Është mjaft e vështirë që të rezistosh, siç themi zakonisht në kohën e përditshme, të përtypësh të tilla gjëra, dhunë fizike apo dhunë verbale. Janë mjaft të rënda./tvklan.al