Letërsia ishte mbrojtja e tij hyjnore dhe të qënit shkrimtar i madh e ngjiti artin e tij në majat e kulturës botërore. Njëzëri brenda dhe jashtë kufirit, politika i dha lamtumirën e fundit kolosit të letrave shqipe i cili u shua në moshën 88-vjeçare. Kryeministri Rama trishtimin për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë e shprehu duke ripostuar një mesazh për ditëlindjen e tij.
“Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë. Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”.
Për kreun e shtetit Bajram Begaj vendi humbi gjeniun e letrave.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”.
Ngushëllime për ndarjen nga jeta të gjeniut të letrave shqipe shprehu edhe ish-Kryeministri Berisha.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare. Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij”.
Mesazhe ngushëllimi shprehu edhe kryebashkiaku Erjon Veliaj, duke e cilësuar një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore.
Edhe Kosova përmes Presidentes Vjosa Osmani përcolli ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail kadare.
“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë. Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet. Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës”.
Mesazhe ngushëllimi shprehën edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë.
Tv Klan