Qeveria e Kosovës: Askush s’mund të gjykojë luftën tonë

Institucionet kryesore shtetërore dhe klasa politike shqiptare kanë shprehur mbështetjen për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe drejtuesit e tjerë të lartë politikë, të cilët duhet të përballen me betejën ligjore në Hagë për akuzat për krime lufte.

Në një reagim zyrtar pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuara, qeveria e Kosovës u shpreh se beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që sipas saj mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë.

“Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”.

Në krah të ish-Presidentit dhe ish-kryetarit të Kuvendit ka dalë edhe bashkëluftëtari i tyre gjatë luftës së UÇK-së, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se Thaçi dhe Veseli duhet të kenë përkrahjen e gjithë Kosovës, pa asnjë rezervë.

Mesazhe solidariteti me udhëheqësit e Kosovës pati edhe në Shqipëri. Duke e konsideruar luftën e UÇK-së si të drejtë dhe heroike, presidenti Ilir Meta vlerësoi aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat.

“Besoj në pafajësinë e tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, thoshte Meta.

Ndërsa kryeministri Edi Rama duke e cilësuar absurd gjithë procesin e nisur ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, theksoi se në fund të tij lufta e Kosovës do të dalë edhe më e pastër.

“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, tha Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehu bindjen se ish-luftëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së do të arrijnë t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza dhe se lufta e popullit të Kosovës përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit të regjimit kriminal të Millosheviçit ishte e drejtë.

Tv Klan