Kryeministri Edi Rama nga selia e Partisë Socialiste ka marrë pjesë në aktivitetin “Deputeti që duam”. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti është shprehur se në “fushë” për t’u bërë deputetë të PS-së janë 1 mijë lojtarë.

Më tej, Kryeministri Rama ka theksuar se politika shqiptare është në proces ripërtëritje të cilën thotë se e ka detyrën ta udhëheqë PS-ja teksa ka shtuar se do i jepet hapësira gjeneratës së re.

Në fund të fjalës së tij, kryesocialisti Rama tha se në politikë ka njerëz që bëjnë sukses të përkohshëm, por që më pas bien se nuk qëndrojnë drejtë.

Edi Rama: Kush merr përsipër të hyjë në rrugën e politikës nuk hyn në një rrugë që është e drejtë, as hyn në një rrugë që është e sheshtë. Hyn në një rrugë që është si ato shtigjet gjarpërushe që herë shkojnë lart e herë poshtë. Kjo është një rrugë për guximtarët. Unë jam mirënjohës për ju që së pari trokisni në derën e PS-së dhe ju e dini më mirë se unë, ju nuk keni aplikuar me ndihmën e dikujt se keni një emër të njohur apo se keni një lidhje. Keni aplikuar duke besuar që hajde ta provojmë.

Në listën e PS-së do të jenë 120, plus edhe një numër tjetër. Në totalin e vet, skuadra është më pak se 200 persona. Lojtarë që duan të futen në fushë janë 1 mijë. Kjo është gara dhe këtu natyrisht po të bësh llogaritë me arsye të ftohtë dhe pa futur brenda dëshirën për të ja dalë, duhet të dorëzohesh. Por nëse je i gatshëm t’i përballosh të gjitha dhe ta shohësh këtë eksperiencë si fillimin e një rruge, kjo eksperiencë ja vlen.

Ne e kemi shumë seriozisht këtë proces sepse ka ardhur ky moment në histori pas rënies së diktaturës kur një gjeneratë e dytë që me këtë kam parasysh gjeneratën e atyre që sot janë në nivelin udhëheqës të PS-së dhe që pjesa më e madhe e tyre e kanë nisur rrugën si lojtarë të skuadrës së të rinjve, duhet t’i krijojë hapësirë një gjenerate të tretë që është gjenerata juaj. Të përgatisim PS-në në vitin 2030. Të përgatisim që do të çojë para projektin e PS-së në dekadën e ardhshme. Detyra jonë që PS të qëndrojë në krye të detyrës. Politika është shpikja më e jashtëzakonshme që njeriu ka bërë nga nevoja për t’u mbrojtur nga kaosi për t’u bashkuar për të vendpsur ca rregulla, për të bashkëpunuar dhe hap pas hapi për të krijuar shtetin si një organizëm garancish dhe për të imagjinuar të drejtat dhe liritë e tij.

Pa politikën nuk do të kishte BE, është krijesa më gjeniale e mendimit politik. Nuk do të kishte SHBA dhe shumë gjëra të tjera deri tek gjërat që sot na duken bazike. Për mua dhe për ndokënd tjetër janë të freskëta kohët kur ishin të pamundura, liria për të folur, liria për t’u zgjedhur, garancitë ligjore, etj. Të merresh me politikë do të thotë të merresh me diçka që është shumë fisnike. Dhe si çdo gjë tjetër varet nga duart e pastra bëjnë një punë të caktuar, duart e pista bëjnë një punë të caktuar. Sot është një moment riformësimi. Si një trup që ka kaluar një fazë të caktuar dhe sot po riformësohet dhe ka një shtysë të brendshme për të ripërtërirë. PS ka të drejtën ta udhëheqë këtë ripërtëritje.

Platforma dhe ju këtu, jeni pjesë e kësaj përpjekje. Tranzicioni në Shqipëri ka mbaruar, është në tryezë duke negociuar BE-në. Java e kaluar ka qenë dita më e rëndësishme qëkur kam ardhur në këtë detyrë. PS ka nevojë ta rrisë këtë kapacitet duke filluar që nga skuadra e saj në Parlament. Ne kemi detyrën t’i prijmë vendit dhe të jemi parësit domethënës të përgjigjes për këtë nevojë. Besimplotë që ky proces do të jetë shumë i shëndetshëm. Historia e të qëndruarit drejtë është një histori tjetër. Në politikë ka njerëz që bëjnë sukses të përkohshëm, por pastaj bien se nuk qëndrojnë drejtë.


/tvklan.al