Kryeministri Edi Rama e cilëson si të jashtëzakonshme fitoren e zgjedhjeve presidenciale të kandidatit republikan Donald Trump. Në një mesazh në rrjetet sociale, Rama thekson se mezi pret që të punojë me Trampin për të çuar më tej bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
“Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Pres me padurim të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”.
Nje mesazh urimi pati edhe presidenti Bajram Begaj.
“Shqipëria vlerëson miqësinë tonë të gjatë dhe partneritetin strategjik, dhe unë pres që ta forcojmë më tej këtë bashkëpunim të ngushtë”.
Një urim për Trump përcolli edhe lideri i opozitës Sali Berisha.
“Kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë President të 47-të të SHBA, zotin Donald Trump. Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre, dhe me rikthimin më të madh të të gjitha kohërave, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aletatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë.”
Berisha tha se nuk kishte asnjë dyshim për fitoren e Tramp në Shtëpinë e Bardhë.
Tv Klan