Ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako në rast se do të shpallet fajtor për akuzën e korrupsioni në dy raste për inceneratorin e Tiranës do të përfitojë 1 të tretën e dënimit. Gjykata e Posaçme i pranoi të martën Bllakos kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Në seancën gjyqësore ku i pranishëm ishte dhe ish-deputeti SPAK relatoi hetimet e deri më tanishme. Sipas Prokurorisë së Posaçme Bllako përfitoi pagesa nga Klodian Zoto në dy raste.

Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të deputetit, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me kërkesën për një pagesë për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën në ndihmë të procedurave koncensionare.

Seanca e radhës në ngarkim të Bllakos u caktua në 29 Janar, seancë ku do të paraqiten dhe argumentet e mbrojtjes. Për inceneratorin e Tiranës po gjykohen edhe 11 ish zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Ndërsa në kërkim janë 8 persona, mes tyre dhe biznesmenë të cilët akuzohen se si grup kriminal me në krye Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton kanë përvetësuar dhe pastruar paratë për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Klan News