Këshilli i Lartë Gjyqësor ka deklaruar zyrtarisht se kritikat e fundit të politikanëve që kanë përmendur gjyqtarë të Gjykatave të Posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar janë përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit.
Sipas KLGJ, çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit, përmes trysnisë ose deklaratave që ndikojnë në dinjitetin e gjyqtarëve, është një kërcënim për pavarësinë dhe sundimin e ligjit.
Në reagim, KLGJ-ja kërkon që të gjithë aktorët të shmangin çdo formë trysnie ndaj gjyqtarëve dhe të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit. Këshilli theksoi se gjyqtarët duhet të jenë të lirë të marrin vendime pa ndikime të jashtme, duke vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Gjatë mbledhjes me deputetet e tij, Kryeministri Edi Rama, teksa lexonte mesazhin e qytetarit dixhital, kërkoi nga kreu i SPAK, Altin Dumani, të hetojë dy gjykatës, të cilët sipas tij i japin dosjet kreut demokrat Sali Berisha.
Në kuadër të këtyre deklaratave, Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për respektimin e shtyllave të pavarësisë së gjyqësorit dhe se vetmja mënyrë kundërshtimi ndaj një vendimi gjyqësor është ajo e ankimimit.
Klan News