Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Jo domosdoshmërisht opozita duhet të paraqesë kandidatët e saj për qeverinë pas zgjedhore brenda Tetorit. Deputeti i PAD Preç Zogaj, mendon se në rast se fiton garën elektorale të 2005, opozita mund të shpallë kandidatët e saj pas zgjedhjeve. Vetëm një ditë më parë, republikani Sabri Godo përmes TV Klan, ftoi kreun e selisë blu të shpallë kandidatin e saj për kryeministër brenda muajit të ardhshëm.

Preç Zogaj: “Duhet të shpallen emra ministrash që tani, në tetor, nëntor apo dhjetor, s’ka rëndësi, kjo nuk është e zakonshme në jetën politike shqiptare, Në përgjithësi dhe në botë qeveritë hije punojnë pranë partive respektive, por emrat mbesin të pathënë, për shumë arsye, së pari sepse partia përkatëse duhet t’i fitojë zgjedhjet dhe në një farë mënyre emrat e ministrave dalin nga forumet, ose dalin nga negociatat midis partive të një koalicioni. Së dyti përcaktimi i emrave disa muaj ose vite përpara zgjedhjeve në një farë mënyre e kufizon garën politike brenda përbrenda partive dhe koalicioneve.”

Ndryshe nga sa kërkoi Godo, deputeti Zogaj e sheh vetë liderin e demokratëve një kandidatë të mundshëm për postin e kryeministrit.

Gazetarja: Ju e shihni zotin Berisha si një kandidat të mundshëm për kryeministër?

Preç Zogaj: “Padyshim që e shoh është çështje tjetër se çfarë mendon zoti Berisha, për këtë pyetje, ose se si mund ta trajtojë ai këtë problem me bashkëpunëtorët e tij dhe me aleatët.”/tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini