Prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera, ka hedhur poshtë akuzat e botuara në një të përditshme shqiptare sipas të cilave ai ka kërkuar autonominë e Vorio Epirit. Gazeta pretendon se ngjarja ka ndodhur pak javë më parë në një konferencë të zhvilluar në Konicë të Greqisë në përkujtim të protokollit të Korfuzit.

Por vetë Ksera e cilëson si dashakeq interpretimin që mediat e caktuara i kanë bërë pjesëmarrjes së tij në këtë konferencë.

Spiro Ksera: “Unë isha i ftuar nga një deputet i parlamentit grek, ishim pjesë e një aktiviteti që përkujtohet një datë historike para 80 e ca vitesh, e cilësoj janë disa persona që nuk u pëlqen kjo hapësirë, keqinterpretohet. Ne kemi mentalitetin europian dhe këtij mentaliteti i përkas dhe unë dhe punojmë dhe ndihmojmë qeverisjen, ndikojmë rajonin me këtë mentalitet. Nuk duhet të konceptohet dhe të kthehemi pas 50, 100 edhe 200 vjetësh dhe të marrim dhe të analizojmë konfliktet në Ballkan.”

Sipas Kserës, protokolli i Korfuzit është një ngjarje historike dhe si e tillë nuk mund të mohohet nga askush. Prefekti i Gjirokastrës është një prej eksponentëve kryesorë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe organizatës OMONIA dhe përfshirja e tij në aktivitete të tilla ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e shytit të shkruar dhe atij elektronik./tvklan.al