Një ditë pas vendimit për të ngritur një grup pune me ekspertë që do të ndihmojnë në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kryetari i shtetit është shfaqur në krah të tyre.
Procesi do të jetë transparent, garantoi Topi , dhe emrat që do të përzgjidhen do të jenë profesionistë me integritet moral.
Bamir Topi: “Nuk besoj që mund ta bëjë më mirë politika vlerësimin profesional më mirë se çe bëni ju. Është rasti që sot të realizojmë një eksperiencë të re për të bërë jo transparencën thjesht para politikës. Transparenca në radhë të parë vlen për shoqërinë ku do të pranohen brenda ditës së martë dhe kandidatura të reja.”
Në fjalimin e tij përpara nëntë anëtarëve të grupit të punës ekspertë të ligjit dhe juristë të karrierës presidenti zgjodhi të riflasë mbi procesin e votimit në kuvend, sipas tij i pamotivuar dhe që cenoi personalitetin e pesë profesionistëve.
Bamir Topi: “Deputetët nëpërmjet votës së tyre sidomos kur bëhet fjalë për gjyqësorin duhet të shprehin vullnetin e votuesve duke e vënë atë prioritet mbi direktivat e partisë. Standardet janë përcaktuese në përzgjedhje periodike të këtij niveli, madje më të rëndësishme se vetë emrat e kandidatëve për Gjykatë të Lartë, ndërkohë që këto të fundit në Republikën e Shqipërisë sipas Kushtetutës kanë qenë dhe janë ekskluzivitet i institucionit të presidentit. Ajo që nuk mund t’i lejojmë vetes është përplasja e brendshme institucionale.”
Në dhjetë ditë grupi i punës do të përcaktojë standardet mbi bazën e të cilave do të administrojë kandidaturat.
Grupet parlamentare do të thirrjen në seancë për të kontribuar në përcaktimin e kritereve, por jo të emrave.
Presidenti ripërsëriti se do të respektohet korniza kushtetuese, sipas së cilës i takon atij ekskluziviteti i përzgjedhjes së emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi