Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Kryesuesin e OSBE-së, Zëvendëskryeministër dhe Ministër për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane dhe Tregtinë e Maltës, Ian Borg.
Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi i Shqipërisë me OSBE-në dhe Maltën. Presidenti Begaj theksoi se OSBE-ja dhe Prezenca e saj në Shqipëri kanë qenë partnerët e besueshëm 27 vitet e fundit me mbështetjen e reformave të rëndësishme për vendin në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Presidenti Begaj i përcolli Borg vlerësimin për kontributin që OSBE-ja ka dhënë në avancimin e reformës zgjedhore, në forcimin e shtetit të së drejtës, sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
“Shqipëria do të vijojë të mbështesë vlerat e të drejtave të njeriut dhe vlerat e demokracisë”, theksoi Presidenti Begaj.
Në lidhje më marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maltës, Presidenti Begaj rikonfirmoi vullnetin për të forcuar më tej këtë bashkëpunim përmes rritjes së kontakteve dhe zgjerimit të shkëmbimeve ekonomike, veçanërisht në fushën e turizmit, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian.
/tvklan.al