Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se shpreson që bashkë me Shqipërinë të vazhdojnë luftën kundër organizatave terroriste, kundër FETO.
Ndër të tjera Erdogan u shpreh se u ra dakord për të forcuar dhe rritur më tej investimet inovatore. Presidenti turk theksoi se me konsultimet e sotme e thelluan më tej partneritetin strategjik duke përmendur edhe marrëveshjet e nënshkruara.
Recep Tayyip Erdogan: Jam i nderuar që jam në vendin mik dhe vëllazëror, Shqipërinë, me rastin e takimit të dytë të Këshillit tonë të bashkëpunimit të nivelit të lartë. Siç e dini vitin e kaluar ne festuam 100-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë. Marrëdhëniet tona miqësore me Shqipërinë të forcuara nga lidhjet historike dhe afërsia kulturore në fakt shtrihen përtej një shekulli. Me konsultimet tona të sotme ne e thelluam më tej partneritetin tonë strategjik të cilin e ndërtuam në vitin 2021 mbi këtë themel historik njerëzor dhe kulturor. Shkëmbyem pikëpamje të hollësishme mbi fushat e bashkëpunimi që përcaktuam në takimin tonë të parë të Këshillit në Ankara shkurtin e kaluar. Gjithashtu me deklaratën e përbashkët që nënshkruam, theksuam vendosmërinë tonë për të zhvilluar dhe thelluar Këshillin tonë në fusha të ndryshme. Ne konfirmuam vullnetin tonë për të avancuar bashkëpunimin tonë me tre marrëveshjet që sapo kemi nënshkruar në fushën e bujqësisë, arsimit të lartë dhe marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.
Të nderuar, anëtarë të shtypit, ne i shohim nismat tona në fushën e tregtisë dhe të investimeve si hapa që do të rrisin mirëqenien e popujve tanë. Në këtë kuadër ne vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur vëllimin tregtar në 2 miliardë dollarë në fazën e parë kjo. Gjatë takimeve tona ne ramë dakord që të diversifikojmë investimet tona të ndërsjella për të përfshirë sektorë novatorë që do të ofrojnë avantazhe në kushtet e sotme.
Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë në fushën e shëndetësisë me operimin e përbashkët të Spitalit të Miqësisë në Fier të cilin ne e ndërtuam në një kohë rekord në vitin 2021. Ne gjithashtu do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, partnerit tonë strategjik, aleatit tonë të NATO-s në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve ushtarake.
Ne diskutuam edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, veçanërisht kundër FETO-s me mikun rim të dashur kryeministër, zotin Rama. Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që ne kemi marrë sot.
/tvklan.al