Të parën vizitë në Shqipëri që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vende, presidenti i Izraelit e bën në një kohë që vendi i tij ndodhet në një konflikt ushtarak me Hamasin.

Isaac Herzog u prit me një ceremoni zyrtare në Tiranë nga homologu Bajram Begaj.

Ndërsa me kryeministrin Rama dolën në një deklaratë të përbashkët, ku kreu i qeverisë mbajti qëndrimin e shtetit shqiptar sa i takon konfliktit Izrael-Palestinë.

Qëndrim i artikuluar që në nisje një vit më parë të këtij konflikti e që mbështet paqen, por kundërshton çdo forme të antisemitizmit.

“Do të jemi në mënyrë të palëkundur kundër çdo forme antisemitizmi e kundër çdo lloj paragjykimi kundër hebrenjve. Jemi të vetëdijshëm se ajo që po ndodh në territorin ku populli i Izraelit dhe Palestinës jetojnë, është shumë e rëndë. Kjo duhet të marrë fund sa më shpejt. Jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Lufta kundër terrorit është me e vështirë se nga ç’mund të duket nga lart. Shqipëria ka qenë një mbështetëse shumë e madhe e armëpushimit dhe për sjelljen në shtëpi të pengjeve dhe për të nisur një proces armëpushimi në të mirë të njerëzve”, tha Rama.

Presidenti Herzog është mirënjohës për mbështetjen e Shqipërisë, mbështetje që është treguar dhe me herët në historinë e dy popujve tanë, kur shqiptarët mikpritën dhe mbrojtjen  hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore, duke u bërë i vetmi vend në botë që kishte më shumë hebrenj pas luftës se para saj.

“Vendi juaj ka treguar që jeni krah popullit izraelit ndërsa ne luftojmë që të sjellim paqe në vendin tonë. Pengjet mbahen ende në Gaza dhe duhet bërë gjithçka për t’i sjellë në shtëpi”, tha Herzog.

Gjatë vizitës në Tiranë, presidenti izraelit u prit edhe nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali që theksoi krenarinë e shqiptarëve për marrëdhëniet historike me hebrenjtë.

Tv Klan