Zelenskiy fajëson Rusinë, thotë se ajo duhet të mbahet përgjegjëse
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke lënë mbrapa saj “gjurmë të vdekjes”. Ai e ka bërë këtë deklaratë pas identifikimit të një varreze masive në qytetin e çliruar të Izjumit.
Ushtria ukrainase ka nisur ditë më parë një kundërofensivë në rajonin verilindor të Harkivit, duke çliruar një mori vendbanimesh.
“Një varrezë masive e njerëzve është gjetur në Izjum, në rajonin e Harkivit”, ka thënë Zelensky.
“Buça, Mariupoli, tani fatkeqësisht Izjumi”, ka vijuar më tej presidenti ukrainas duke përmendur edhe qytetet e tjera ukrainase ku autoritetet kanë thënë se pas zmbrapsjes së trupave ruse kanë gjetur varreza masive dhe të dhëna për krime lufte. Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka bërë me dije se të paktën 440 trupa të vdekur janë gjetur në këtë varrezë masive në Izjum.
Mijëra trupa ushtarake ruse kanë ikur nga Izjumi javën e kaluar, qytet të cilin e kanë pushtuar pak ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Rusia nuk i komentoi menjëherë raportet për varret masive. Në të kaluarën ajo ka mohuar që trupat e saj ushtarake kanë kryer mizori.
Klan News