Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog vlerësoi lart mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për vendin e tij në luftën me Hamasin, që vijon prej Tetorit të vitit të shkuar.
“Për mua është domethënëse të jem mes miqsh në këtë kohë kaq të dhimbshme për Izraelin. Po i afrohemi një viti qëkur Hamasi sulmoi në mënyrë brutale Izraelin. Qysh prej asaj dite të errët në Tetor, Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur, është radhitur në anën e duhur të historisë. Vendi juaj tregoi edhe njëherë që qëndron krah vendit izraelit. Puna jonë s’ka mbaruar ende, pengjet ende mbahen në mënyrë mizore në Gaza. Për fat të keq po luftojmë në të njëjtën kohë më shumë sesa një armik terrorist. Në fakt hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejtjes është Irani dhe fiksimi i tij mizor antisemit me shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Dhe këtu në Shqipëri, e njihni mjaft mirë këtë regjim totalitar”.
“Por marrëdhëniet tona nuk fillojnë e mbarojnë aty. Shqiptarët e hebrenjtë ndajnë një histori të gjatë e domethënëse. Hebrenjtë e mbarë Europës gjetën strehë në Shqipëri gjatë holokaustit, që është një dëshmi e traditës të rrënjosur thellë të shqiptarëve, të çdo besimi fetar dhe shpirtit të jashtëzakonshëm të popullit shqiptar. Kombi izraelit kurrë nuk do të harrojë si ju dhe kombi shqiptar qëndruat krah izraelit”, tha Herzog krah kryeministrit Rama.
Në fund të fjalës së tij, presidenti izraelit iu drejtua popullit shqiptar në gjuhën shqipe duke thënë: “Faleminderit popullit shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite”.
Ndërkohë, më herët Herzog u prit në një takim edhe nga Presidenti Bajram Begaj. Kjo është vizita e parë e një Presidenti të Shtetit të Izraelit në Shqipëri, që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve./tvklan.al