Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Me ftesë të presidentit të Republikës Sllovene Millan Kuçan, sot mbrriti në Lubjanë Presidenti Shqiptar Rexhep Mejdani, i shoqëruar dhe nga nënkryetari i parlamentit shqiptar Namik Dokle si dhe personalitete të tjera të larta të Shqipërisë. Në takimin e përbashkët mes dy presidentëve për çështjen e Kosovës, Presidenti Mejdani parashtroi disa probleme që hasen sot në Kosovë dhe që kërkojnë një zgjidhje të shpejtë, siç janë ngritja e një sistemi bankar, pajisja me dokumenta identiteti të banorëve të saj si dhe problemet e pronësisë.

Të dy palët ishin të një mendimi për nevojën e ruajtjes së karakterit multietnik të Kosovës. Ndërsa Presidenti Mejdani ripohoi qëndrimin e tij të njohur për të ardhmen e Kosovës dhe të Malit të Zi në përputhje me vullnetin e popujve në rrjedhat e integrimit europian.

Po sot Presidenti Mejdani së bashku më Presidentin Millan Kuçan dolën përpara gazetarëve ku shprehën të gjitha këto pikpamje. Gjithashtu po sot Presidenti Mejdani zhvilloi takime dhe në dhomën e tregtisë si dhe në parlamentin slloven./tvklan.al

Gazetar – Ardian Faja