Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim të veçantë, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.
Me ftesë të Presidentit Meta dhe të Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, Kardinali Parolin ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurit të parë dhe të bekimit të fillimit të punimeve për Spitalin e kurimit të kancerit të gjirit, një amanet i Shenjtores Nënë Tereza.
Meta shprehu mirënjohjen e thellë për vëmendjen e madhe që Ati i Shenjtë, Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë i kushtojnë Shqipërisë e shqiptarëve.
“Lidhjet e hershme të miqësisë mes shqiptarëve e Selisë së Shenjtë, sot janë rigjallëruar dhe intensifikuar më shumë se kurrë”,
nënvizoi Presidenti.
Ndërsa duke iu referuar vizitës së Kardinalit Parolin në Tiranë, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë dhe i jep zhvillimit të projekteve të ndryshme sociale, sidomos në arsim dhe shëndetësi.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të dialogut, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit për të ardhmen europiane të rajonit.
/tvklan.al