Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, dëshiron të takohet sërish që të fillojnë negociatat, pas përfundimit të bashkëpunimit ushtarak mes SHBA-së dhe Koresë Jugore.
Trump, përmes një postimi në Twitter, tha se Kim i ka bërë këto deklarata përmes një letre dhe se shpreson se do të takohen shumë shpejtë.
Presidenti amerikan tha se Kim i ka kërkuar falje për testimet e raketave në ditët e fundit, por i ka premtuar se do të ndërpresin këtë aktivitet kur të përfundojnë ushtrimet ushtarake me Korenë Jugore.
Koreja Veriore ka testuar dy raketa me rreze të shkurtër të shtunën, deklaruan autoritetet e Koresë Jugore, duke theksuar se ky veprim është “shprehje e forcës” kundër ushtrimeve ushtarake të Koresë Jugore me Shtetet e Bashkuara.
Lëshimi i raketave erdhi disa orë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump tha se ka marrë “një letër shumë të bukur” nga lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un.
Trump dhe Kim janë takuar tre herë, në Singapor, Hanoi dhe zonën e demilitarizuar koreane.
Presidenti amerikan që ka shfaqur simpati për liderin Kim gjatë çdo takimi, ka premtuar se do ta mbështes Korenë Veriore ekonomikisht nëse tërhiqet nga programi bërthamor.
Koreja Veriore ka deklaruar se armët janë për vetëmbrojtje dhe ka insistuar në heqjen e sanksioneve. /REL