Bashkimi Evropian do të jetë gati për negociata me Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur interesat e tij kundër kërcënimit të rritjes së tarifave tregtare.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një takim me ambasadorët në Bruksel, tha se prioriteti i parë ishte të punohet në shumë fusha, ku bashkohen interesat e BE-së dhe SHBA-së, si zinxhirët e furnizimit kritik dhe teknologjitë në zhvillim.

“Ne do të jemi të gatshëm për negociata aty ku është e nevojshme dhe për të gjetur zgjidhje aty ku është e mundur, për të zgjidhur çdo ankesë dhe për të vendosur themelet për një partneritet më të fortë. Ne do të jemi të hapur dhe pragmatikë në mënyrën se si ta arrijmë këtë, por do ta bëjmë po aq të qartë se ne gjithmonë do të mbrojmë interesat tona”, tha Von der Leyen.

Zyrtarët e BE-së thonë se kontaktet me administratën e Presidentit amerikan Donald Trump kanë qenë të kufizuara deri më tani. Sipas Von der Leyen një ndër çështjet më të nxehta për momentin që prekin kontinentin europian është siguria kombëtare dhe ekonomike.

“Ne duam të fokusohemi në forcimin e lidhjeve ekonomike për evropianët, ato që ndihmojnë në krijimin e vendeve të punës, uljen e çmimeve. Dua të jem e qartë: Evropa do të ruajë sigurinë e saj ekonomike dhe kombëtare. Por është e rëndësishme që ne të arrijmë ekuilibrin e duhur, që vendos theksin tek tregtia, investimet, inovacioni dhe prodhimi. Ne duam të shmangim një garë globale që nuk është në interesin e askujt, ky duhet të jetë fokusi ynë kryesor, edhe pse po përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm”, tha der Leyen.

Ursula Von der Leyen dhe Trump nuk kanë biseduar që nga inaugurimi i tij në 20 Janar. Gjithashtu, edhe udhëheqësit evropianë kanë paralajmëruar se kërcënimi i Presidentit amerikan Donald Trump për tarifat ndaj BE-së rrezikon të ndezë një luftë tregtare që do të dëmtonte konsumatorët në botë.

Klan News