Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku në takimin me drejtorët rajonal të OSSH-së, lidhur me planin e masave për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit veror bëri të ditur se janë ngritur task-forca dhe po ashtu është bërë edhe një përmirësim i sistemeve.
Ajo siguroi se do të ketë furnizim të plotë me energji elektrike përgjatë sezonit veror në të gjithë territorin.
Belinda Balluku, zv.Kryeministre: Fluksi i turistëve ka nisur që prej fillimit të majit dhe presim të mbyllet në tetor. Janë ngritur task forcash në terren. Ka një impenjim nga të gjitha grupet e punës, por OSSH-ja luan një rola jashtëzakonisht të rëndësishëm për gjithë mbarëvajtjen e këtij sezoni.
Numri dy i qeverisë tha se përqendrimi kryesor do të jetë në zonën ku ka fluks të lartë të turistëve, duke mos lënë pas dore dhe zonat e tjera.
Belinda Balluku, zv.Kryeministre: Vëmendja kryesore qëndron në ultësirën perëndimore, si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhet lënë pas dore edhe fakti që tashmë njësi hotelerie kemi edhe në zonat malore, të cilat nga ana e investimeve nuk kanë të njëjtin sasi investimesh siç ka pasur pjesa e ultësirës perëndimore apo qytetet kryesore. Kështu që atje ndoshta duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme që duhet të kemi në terren. Koordinimi ka qenë i mirë deri më sot.
Administratori i OSSH, Blendian Dalipi raportoi për numrin e punonjësve në terren, duke theksuar se i gjithë remonti do të përfundojë më 20 Qershor.
Blendian Dalipi, kreu i OSSH-së: Në të gjithë rajonin ne do të angazhojmë 1128 punonjës dhe 84 automjete, nga të cilat 228 janë të tensionit të lartë dhe pjesa tjetër, janë brigada që do të operojnë në tensionin e mesëm dhe në tensionin e ulët. Këto do të jenë në gatishmëri të plotë 24 orë për të ndërhyrë në çdo rast, kudo ku është e nevojshme për të ndërhyrë. Krahas angazhimit të njerëzve kemi hapur 30 pika shërbimi që do të jenë në shërbim të konsumatorëve 24 orë me numrat përkatës. Gjatë këtij viti i kemi shtuar këto pika sidomos në zonë e Shëngjinit, në zonë e Ksamilit, ku nuk i kemi patur vitet e kaluara dhe i kemi dyfishuar apo trefishuar në rastet kur është e nevojshme.
Zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh gjithashtu se Qeveria po përgatit një ligj të veçantë që do t’i dedikohet investimeve në zonat veriore ne turizëm apo agroturizëm që ka për synim edhe përthithjen dhe kthimin e emigrantëve që duan të vijnë dhe të vlerësojnë pronën që kanë dhe detyra e parë që do të lindi menjëherë është forcimi i rrjetit.
Klan News