Rama: Transformim rrënjësor të zonave të prekura
Ky është projekti i rindërtimit e Kombinatit, një nga lagjet më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Tiranë.
Ai parashikon strehimin me banesa falas të 20 mijë e 500 banorëve ndërsa janë parashikuar të ngrihen të reja 4 institucione të reja arsimore, 9 pikave sociale e kulturore dhe 5 sheshe publike.
Në prezantimin e projektit Kryeministri Rama theksoi se ky projekt synon zhvillimin e gjithë zonës.
“Kombinati ka një projekt që tregon shumë për atë që ne duam të bëjmë. Synojmë të krijojmë një Kombinat që është një destinacion për turistët, për jetën e natës dhe për shumë aktivitete të tjera dhe këto i përkasin Shqipërisë 2030 dhe jo vetëm një harku kohor prej një viti që na duhet për të akomoduar njerëzit. Shumë shpejt do të fillojmë në ndërtimin e shtëpive të para individuale. Të gjitha shkollat e rrënuara në zonën jashtë Tiranës kanë filluar të rindërtohen dhe së shpejti fillon dhe brenda Tiranës ku një numër i madh i shkollave fillojnë mësimin më 26 Nëntor me kushte të reja”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se ky është një projekt mjaft ambicioz.
“Ky projekt përfshin 1.5 milionë metra katror ndërtim. Është ndoshta ndërtimi më ambicioz i 100 viteve të Tiranës kryeqytet, ku do të akomodojë 21.534 njerëz. Ata që do të marrin shtëpitë e para janë vetëm 1/3 e një lagjeje, që potencialisht do të shkojë deri në 21 mijë banorë. Do të fillojë me fazën e parë me 2292 apartamente për 8500 qytetarët e Kombinatit të prekur nga tërmeti”.
Projektet e rindërtimit nga tërmeti shihen nga qeveria si mundësi për transformimin e zonave të prekura.
“Projektet që kemi në dorë për një sërë rrethesh që janë goditur nga tërmeti, padyshim që do të çojë përpara edhe zhvillimin urban. Për shembull qyteti i Laçit, ka qenë ashtu siç ka qenë, ndërsa ne do të bëjmë ndërhyrje. Kjo do të sjellë më shumë ekonomi, më shumë arsye për të shkuar në atë qytet. E njëjta gjë mund të thuhet për Thumanën, që ishte epiqendra e tragjedisë. Thumana ishte zonë mbijetese, ama me ndërhyrjen e re, padyshim mund të kthehet në një tjetër pikë të rrugës së atraksioneve”.
Qeveria ka si synim që brenda 26 Nëntorit të kenë hyrë në banesat e reja shumica e të prekurve ndërsa të hapen edhe shkollat e reja të rindërtuara.
Tv Klan