Duket se gjithçka po shkon në rrugën e duhur për klubin e Vorës. Skuadra është një nga pretendentet kryesore për tu ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, pasi kryeson renditjen e Kategorisë së Parë.

Përveç kësaj, drejtuesit po punojnë edhe në drejtime të tjera. Klubi i Vorës ka zbuluar projektin për stadiumin, i cili do të jetë tërësisht i mbuluar.

Në njoftimin e klubit, thuhet se stadiumi i ri do të jetë një nga më modernët në Shqipëri, ndërsa do të ketë një kapacitet prej 3 mijë e 200 vendesh.

“Futboll Klub Vora ka nisur punën paraprake për të mbaruar plotësisht “Stadiumin Vora”.

Në klub ka mbërritur projekti, i cili është pëlqyer nga presidenca dhe drejtuesit e klubit. Projekti është i mirëstudiuar dhe ka ardhur me detaje. Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 3200 vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve. Ky impiant do të jetë padyshim ndër më modernët në Shqipëri.

Stadiumi do të jetë një qendër multifunksionale, pasi do të përfshijë të gjitha kushtet e nevojshme për skuadrën. I njëjti komoditet do të ofrohet edhe për tifozët”, thuhet në njoftimin e klubit të Vorës.

/tvklan.al