Veliaj: Të konsumojmë produkte lokale, rrisim ekonomine vendase
Nga Tregu i ri Agroushqimor në Farkë, ‘AgroPark Tirana’, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, prezantuan Skemën Kombëtare të Qeverisë për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural si një mundësi për të rritur prodhimin dhe ulur kostot.
“Ftesa për të gjithë miqtë tanë fermerë dhe familjet është: duhet të sigurohemi që t’i shpenzojmë këto para, ndaj na duhet një mobilizim jo vetëm nga fermerët, por shoh disa nga administratorët tanë këtu, që mund të na ndihmojnë dhe të punojmë për këtë mision. Pra, jo vetëm ai që realisht punon me tokën, me bletët, me baxhon, me stallën, por të gjithë duhet të shkojmë në katund për t’u siguruar që këto para shkojnë në vendin e duhur.”
Kreu i Bashkisë ftoi bizneset dhe qytetarët që të blejnë produkte lokale, të cilat ofrojnë jo vetëm cilësi, por ndihmojnë në këtë mënyrë edhe ekonominë vendase.
“Ne jemi tregu më i madh sot në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të thotë se kush prodhon në Tiranë është edhe më afër tregut. Ftesa për të gjithë, jo vetëm për ata që shtrojnë iftaret, restorantet, por për çfarëdo lloj sebepi, është të blejnë produkte lokale. Është shumë e rëndësishme që paraja të qarkullojë këtu. Të gjithë e dimë se pjesa më e madhe e këtyre produkteve që vijnë nga jashtë, mund të kenë ngrirë nëpër frigoriferë, nga Brazili e nga Argjentina. Nuk jam këtu që të bëj reklamë kundër tyre, jam këtu që të bëj reklamë pro nesh dhe produkteve tona.”
Për të ndihmuar ekonominë bujqësore dhe blegtorale, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim dhe me aktorë të tjerë, do të nisë edhe një fushatë promovimi në gjithë territorin. Prej datës 27 Mars, të gjithë blegtorët dhe fermerët mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare për mbështetjen e bujqësisë.
Tv Klan