Disa heronj e heroina nuk kanë nevojë për pelerina që të mbahen mend. Veprat e tyre i bëjnë me zemër e pa kërkuar asgjë, por duke lënë gjurmë të forta te ata që prekin. Kështu është edhe historia e Xhemiles, vajzës së tezes së Tajarit që ky i fundit e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”.
Kjo grua me një buzëqeshje të paqtë në fytyrë që hyri në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, flet me zë të lehtë duke kontrastuar me fuqinë e veprave të saj të mira. Edhe pse bashkëshorti i saj ndodhet i shtruar në spital, Xhemilja e ka gjetur kohën për të ardhur. Ndihma e pakushtëzuar që ka marrë prej saj e ka nxitur Tajarin që ta falenderojë në një ditë të veçantë, në përvjetorin e 90-të të nënës së tij të ndjerë.
Tajar: Mesazhin unë dua ta them me fjalët e mia. Ti je fener ndriçues për familjen tonë. Ti je një njeri që nuk ka mundësi të të shlyejmë ato që ke bërë ti për ne. Vendosmëria që të kam marrë, për të gjitha të mirat që ke bërë ti por sot mamaja mbush 90 vjeç dhe ti ke qenë vajzë kaluar vajzës për të.
Xhemile: Kam bërë vetëm detyrën time si mbesë.
Tajar: Uroj shërim sa më të shpejtë dhe të falenderoj në emër të familjes dhe gjithë njerëzve tanë për ato që ke bërë për familjen tonë!
Xhemilja tregoi fare thjesht sesi prindërit ia kanë ushqyer gjithnjë ndjesinë për të ndihmuar e respektuar të tjerët dhe ajo është përpjekur të veprojë njësoj me fëmijët e saj. Ajo nuk ka ndihmuar vetëm Tajarin, por këdo për të cilin ka pasur mundësi të ofrojë sadopak. Sa për tezen e saj të ndjerë e cila e konsideronte Xhemilen si vajzë, ajo tregon mes lotësh se e kishte amanet nga nëna.
Xhemile: Me tezen u lidha shumë se mamaja ndërroi jetë. Më la edhe një si amanet. Tha “dëgjo, ju kam lënë amanet Sadeten” se Sadete e quanin ndjesë pastë dhe “të ma shikoni se ajo i ka çuna të gjithë, s’ka goca”. Mua më ngeli ajo. Afër isha me shtëpi dhe nuk kishte ditë mos të shkoja, nuk kishte arsye të pengohesha. Pastaj unë e kam pasur tim shoq shumë të respektuar për njerëzit dhe çdo gjë unë ia dedikoj atij./tvklan.al