Avokatët e Jamarbër Malltezit kanë shtuar një ankimim shtesë në ankiminin që kishin bërë në Gjykatën e Posaçme të Apelit në lidhje me masën e sigurisë “arrest me burg” që është lënë në fuqi ndaj tij.
Gazetarja Glidona Daci në një lidhje direkte me Klan News ka dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë çështje.
“Avokatët në momentet e para bënë një ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit vetëm duke zënë afatet, pra brenda afatit 5-ditor duke argumentuar se Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përfaqësuar në këtë çështje nga gjyqtarja, Irena Gjoka nuk e kishte zbardhur vendimin për masën e sigurimit dhe në këtë mënyrë ata nuk kishin mundësi se si të bënin prapësimet e tyre. Kanë pritur sa është zbardhur vendimi, e kanë marrë në dispozicion dhe nga dita e zbardhjes së vendimit, Gjykata ju ka dhënë 5 ditë afat që të bënin të mundur paraqitjen e të gjithë dokumentave në Shkallën e Dytë të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në mënyrë që të bëjnë prapësimet e tyre. Më pas, çështja do të hidhet në short, do të përcaktohen gjyqtarët, të cilët do ta shqyrtojnë këtë çështje dhe më pas do të zhvillohet dhe seanca”, ka raportuar gazetarja Glidona Daci.
Përsa i përket çështjes së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, gjatë ditës së sotme, pritet të mbërrijnë në ambientet e gjykatës avokatët e Berishës pasi janë kontaktuar nga GJKKO për të marrë të zbardhur vendimin e datës 26 Tetor e po ashtu edhe vendimin e datës 6 Nëntor.
Zyrtarisht, Berisha akoma nuk e ka marrë vendimin e SPAK për masën e sigurimit “detyrimin paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” nën akuzën e “korrupsionit pasiv” për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”./tvklan.al