Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, po zhvillon ditën e sotme takim me gazetarët, ku është pyetur në lidhje me disa çështje që ka nën hetim SPAK.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raporton se për çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”, Dumani ka thënë se do e vlerësojnë prokurorët kur i kanë mbledhur të gjitha provat, teksa ka shtuar se është bërë hetim pasuror lidhur me rastin.

Për dosjen “Partizani”, ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij ndodhen në “arrest shtëpie”, ndërsa ndërtuesi Fatmir Bektashi në masën “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK, Berisha dyshohet të ketë kryer veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.

Për të njëjtën vepër penale akuzohet dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi pasi dyshohet se ka marrë përfitime të parregullta, si produkt i bashkëpunimit me ish-kryeministrin Berisha.

Ndërkohë, më 2 Korrik 2024, Gjykata e Posaçme nuk arriti dot të merrte në shqyrtim kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për zëvendësim të masës së sigurisë.

Në këtë seancë, avokatët kishin kërkuar informacione mbi hetimet e deritanishme. Seanca nuk u zhvillua pasi Berisha dhe Malltezi nuk kishin marrë dijeni sipas ligjit.

Avokati i Berishës, Gjokutaj u shpreh në një prononcim për mediat se hetimet për çështjen “Partizani” janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin./tvklan.al