Gjykata e Posaçme nuk arriti dot këtë të martë të merrte në shqyrtim një kërkesë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për zëvendësim të masës së sigurisë.
Në këtë seancë, avokatët kishin kërkuar informacione mbi hetimet e deritanishme. Seanca nuk u zhvillua pasi Berisha dhe Malltezi nuk kishin marrë dijeni sipas ligjit.
Në një prononcim për mediat, avokati i Berishës, Gjokutaj është shprehur se hetimet për çështjen “Partizani” janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin.
Genc Gjokutaj: Ne kërkojmë zëvendësimin e masës sepse mungon çështja në thelb. Këta edhe ta zgjasin afatin, edhe të mos e zgjasin, një çështje që nuk ka një fabul akoma të përshkruar nga prokuroria, sigurisht që nuk duhet zgjatur, por duhet marrë zgjidhja ligjore që është pushimi i hetimeve. Ata duhet t’i thërrasin mendjes se edhe sikur të bëjnë një tjetër zgjatje të sforcuar, ata nuk kanë gjë në inventar në kuptimin e provave. I bëj thirrje që të ndërmarrin një veprim ligjor të duhur njëherë në jetë sepse hetimet janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin.
Tv Klan