Deri në vitin 2030, synimi i qeverisë është që eksportet të arrijnë në vlerën e 1 miliard Eurove. Ky objektiv u bë i ditur pak javë më parë nga kryeministri teksa u prezantuan skemat e financimit në bujqësi.

Megjithatë për t’u arritur ky objektiv duhet të plotësohen disa kritere dhe standarde në përputhje me kërkesat e tregjeve të huaja. Këto renditen në emisionin “Pro Business” në Tv Klan nga Irfan Tarelli, drejtor i politikave pranë Ministrisë së Bujqësisë.

“Objektivi prej 1 miliardë dollarë eksporte në harkun kohor të 2030 është një objektiv që çliron potencialet ende të pashfrytëzuara të sektorit bujqësor apo të sektorit të peshkimit në vend. Natyrisht ai është një objektiv që mund të arrihet. Kërkon së pari më tepër investime në sektor, por kërkon nga ana tjetër edhe respektimin e standardeve në përputhje me kërkesat e tregjeve”, tha Irfan Tarelli.

Disa nga produktet që zënë peshën kryesore të eksporteve janë kryesisht grupi i fruta-perimeve, bimët medicinale, por dhe mjaft produkte të përpunuara.

“Aktualisht eksportet tona përbëhen kryesisht nga perimet e freskëta, të cilat vijnë më së shumti nga serrat, por me potencial të konsiderueshëm janë edhe perimet e fushës gjatë gjithë vitit. Vendi jonë në krahasim me vendet fqinje apo disa vende të tjera ka avantazhet e hershme apo edhe të prodhimit të vonë cili në ambiente të mbrojtura gjen kushtet e përshtatshme dhe me kosto më të ulët sesa në situata të tjera. Kategoria e frutave. Në Shqipëri për shkak të kushteve klimatike prodhimi i frutave është në arealin e vet dhe me një llojshmëri të madhe. Vitet e fundit ulliri përfaqëson një sektor me potencial zhvillimi relativisht të lartë. Ne sot kemi mbi 11 milionë rrënjë ulliri që prodhojnë. Mundësia për shtimin e sipërfaqeve të kultivuara, natyrshëm edhe të prodhimit dhe të vajit të tij është përsëri një faktor i rëndësishëm. Përveç fruta-perimeve që unë përmenda hyjnë edhe agrumet, por dhe rrushi i tavolinës, një kategori tjetër e rëndësishme janë edhe bimët medicinale dhe aromatike, flas për ato të kultivuara, por edhe ato që mblidhen në florën e egër”, shtoi më tej ai.

Prodhimet e vendit tonë eksportohen kryesisht drejt vendeve të Rajonit, kjo për shkak të afërsisë gjeografike dhe kostove jo të larta, por edhe në shumë vende të Bashkimit Europian e deri në SHBA e Kanada.

“Tashmë ne eksportojmë në një numër shumë të madh vendesh, përfshirë rajonin kryesisht për produktet masive, produktet e freskëta, të cilat transportohen brenda ditës dhe kjo përbën dhe një avantazh sepse ul kostot e transportit dhe përfundimisht çmimin e shitjes në këto tregje. Por, gjithashtu eksportojmë të tilla produkte edhe në vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa produktet e përpunuara kanë luksin le të themi që të transportohen në tregjet më të largëta sepse sasia e tyre është më e vogël, por kanë vlerë më të madhe. Përshembull sherbela eksportohet kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ne aty mbajmë dhe vendin e parë të këtij eksporti edhe në shkallë globale”, përfundoi Irfan Tarelli./tvklan.al