Në pjesën e dytë të emisionit “Pro Business” në Tv Klan në fokus ishin problemet me të cilat ndeshet në tërësi sektori i bujqësisë, jo vetëm kreditimi por edhe strukturat agrare, fuqia punëtore e deri tek sfida e ujit në bujqësi.
I ftuar në studio me gazetaren Oljana Maloku ishte Fatmir Guri, ekspert bujqësie njëherësh pedagog pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Guri vlerëson nismën për linjën e re të kreditimit.
“Në të vërtetë kjo nismë e cila është e kombinuar midis Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë shqiptare mundohet që të ndikojë në atë që ka qenë një prej pikave më të dobëta të kreditimit të bujqësisë. Që ka qenë me të vërtetë në nivele shumë të ulëta. Mjafton të themi që për vitin 2023 niveli i kreditimit nuk i kalonte 2.5% të të gjithë portofolit të kredisë që jepnin bankat e nivelit të dytë. Pika e dobët që është norma e interesit, të cilat kanë qenë shumë të larta për një sektor i cili nuk ka nivelin e produktivitetit për njësinë e kapitalit që kanë sektorët e tjerë. Prandaj ka nevojë për t’u mbështetur në normat e interesit”, u shpreh Guri.
Por cilat janë problematikat që rendit?
“Ne kemi disa pika të dobëta të cilat i tërheqim pas prej 30 vitesh dhe ajo që për mua është shumë e rëndësishme janë strukturat agrare. Ne kemi struktura agrare të cilat janë thellësisht të copëzuar, të cilat na prodhojnë një produkt të copëzuar dhe pastaj na pamundësojnë neve për të qenë konkurrues në tregje kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky problem i strukturave tanimë mund të zgjidhet vetëm duke krijuar një frymë të bashkëpunimit mes fermerëve e cila do të bëjë të mundur që ne mos të bashkojmë strukturat, por të kemi një produkt i cili të jetë pak a shumë uniformë në nivelin final për konsumatorin. Ne kemi një sfidë përpara dhe unë besoj se kjo sfidë ose ajo kryesorja që ne do të kemi në të ardhmen është sfida e ujit në bujqësi, por jo vetëm. Sa më shpejt që ne të fillojmë dhe të përpiqemi të jemi më ekonomistë me përdorimin e burimeve ujore, aq më shumë dhe aq më përpara drejt përballimit të kësaj sfide do kemi arritur”, shtoi eksperti.
Ai pati dhe një mesazh edhe për orientimin e fermerëve.
“Të prodhojmë më shumë për njësinë e tokës dhe të prodhojmë produkte me vlerë ose me vlerë më të lartë të shtuar. Për mua ky do të jetë trendi me të cilin duhet të ecë bujqësia në 5-10 vitet e ardhshme. Unë shoh që përshembull në orientimet që bën Ministria e Bujqësisë, politikat e saj mbështetëse ky orientim është i shprehur. Po ju marr një shembull të thjeshtë. Ne po të themi për prodhimet e serrave, automatikisht na shkon mendja në 3 prodhimet kryesore, domate, kastravec, bostan ose shalqi. Por shumë pak e dinë që një prej prodhimeve, i cili ka avantazhe dhe vlerë të lartë të shtuar të serrave shqiptare, është rrushi në serra. Rrushi i tavolinës i cili del përpara gjithë produkteve dhe prodhuesve evropianë”, përfundoi Fatmir Guri./tvklan.al