Deri në Dhjetor të vitit 2024 flota e automjeteve në Shqipëri arriti në shifrat e afërsisht 960 mijë mjete aktive të regjistruara në regjistrin kombëtar. 80% e tyre i përkasin klasës së autoveturave.

Këto të dhëna janë bërë publike në emisionin “Pro Business” në Tv Klan ku u diskutua për tendencat e tregut dhe po ashtu për sfidat në të ardhmen për të ulur ndotjen në mjedis.

Arben Progni, drejtor i regjistrimit të mjeteve, DPSHTRR thotë se bazuar në regjistrimet e vitit 2024, nga Janari-Dhjetor 2024 ka pasur rreth 99.500 regjistrime të mjeteve, nga të cilat 15% janë mjete të reja me 0 km dhe 85% i përkasin mjeteve të përdorura.

Shkalla e motorizimit në Shqipëri ka arritur në shifrat e 400 mjeteve për 1000 banorë, ndryshe nga sa i referohemi vitit 2018 nga 220 mjete për 1000 banorë ka arritur në 400 mjete për 1000 banorë. Krahasuar me vendet e Bashkimit Europian mesatarja e shkallës së motorizimit në BE është 570 mjete për 1000 banorë.

 Qarku Tiranë është me 40% të regjistrimeve, ndërsa vendin e fundit e zë Qarku i Gjirokastrës me 1.200 mjete afërsisht 1-2% të regjistrimit. Por, nga cilat vende vijnë automjetet?

“Vendi i origjinës që është së fundmi dominant me 19% Koreja e Jugut, e pasuar tradicionalisht me Italinë dhe Gjermaninë me 17% dhe 18%. Gjithashtu ka importe nga Zvicra, ka nga Shtetet e Bashkuara me 7% dhe Kina me 6%, këto janë vendet kryesore.”

Tregu ka lëvizje sa i takon makinave elektrike.

“Sa i përket mjeteve elektrike regjistrimet mund të themi se 40% e autoveturave të reja me 0 km kanë përdorimin e një motori elektrik, pra mund të jenë “All electric”, hibride-plug in, pra gati gjysma e autoveturave të reja kanë përdorimin e një motori elektrik. Realisht ka një rritje të vit pas viti të mjeteve elektrike mund të themi që flota e tyre “All electric” dhe atyre që përdorin një motor elektrik jemi në shirat e 12.400 mjeteve. Referuar 2024 kemi 70% më shumë se në 2023. Gjithashtu dhe vetë mjetet që janë “All electric” pra 100% elektrike dhe kjo lloj kategori mjetesh ka një rritje të konsiderueshme në mbi 70% pra janë regjistruar 3.100 mjete elektrike vetëm me motor elektrik.”

Nga qarkullimi janë hequr një numër i lartë automjetesh.

“Çregjistrimet e vitit 2024, mund të themi janë 8000 çregjistrime të mjeteve mbi 22-vjeçare dhe kjo shifër ka qenë përherë në rritje, pra është kjo kategori mjetesh është në rritje pra për mjetet e vjetra. Në njërën anë është edhe dalja nga qarkullimi e mjeteve. Por këtu kemi edhe skemën e kontrollit teknik, pra i nënshtrohen dhe kontrollit të gazrave.”/tvklan.al