Emisioni “Pro Business” në Tv Klan, këtë të shtunë ka pasur në fokus në pjesën e parë një nga kompanitë më të mëdha në vend në fushën e sigurimeve dhe të gjithë grupin, Eurosig.

Paketat që ofrohen për klientët si edhe ambiciet e reja në biznes të Kadri Morinaj, President i Grupit Eurosig- Insig-Uba Bank.

Në fillim të emisionit u prezantua një historik për themelimin e kompanisë dhe rrugëtimin ndër vite, përfshirë këtu edhe blerjen e kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve, Insig, në vitin 2016 .

Rrugëtimi i kompanisë së sigurimeve që sot njihet me emrin Eurosig, nisi në vitin 2004. Kohë kur sipërmarrësi Kadri Morinaj e zgjeroi aktivitetin e tij në industrinë e sigurimeve, duke blerë kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”. Në vitin 2006, shoqëria “Dukagjini” e shndërroi emrin në Eurosig, një kompani me kapital tërësisht shqiptar.

Shumë shpejt Eurosig zuri një vend nderi në tregun shqiptar të sigurimeve, duke u shtrirë në të gjithë territorin e vendit me 30 degë dhe më shumë se 230 agjenci e pika përfaqësimi. Eurosig për shumë vite ishte kompania me trendin më të lartë të rritjes në Shqipëri, duke menduar shtrirje më të gjerë në rajon. Gjatë vitit 2015, Eurosig shtriu investimet edhe në Kosovë, për të zënë vendin e parë në tregun e sigurimeve. 

I ftuar në studio sipërmarrësi Kadri Morinaj është ndalur tek sfidat dhe ambiciet duke ndarë një lajm për publikun për shtrirje të grupit në tregjet ndërkombëtare.

“Eurosig e filloi punën e vet në vitin 2005 me vetëm 5 milionë lekë të vjetra xhiro në vit dhe sot është me 35 milionë Euro xhiro në vit. Ndoshta në një të ardhme rajoni është shumë i vogël për neve, pasi do jemi dhe në tregjet ndërkombëtare si grup, Eurosig, Insig dhe UBA Bank. Ne jemi të kënaqur jo vetëm me Kosovën, jemi të kënaqur me Maqedoninë e Veriut, pse jo dhe me Malin e Zi, edhe me tregun e lirë në Serbi. Ambicia jonë është më e madhe pasi po mendojmë të zgjerohemi në tregun ndërkombëtar”, tha Morinaj.

Ka befasuar me deklaratën e tij për të rinjtë duke i ftuar t’i bashkohen kompanive të grupit.

“Kemi mbi 100 vende pune. Pse jo do të rekomandoj edhe tek miqtë e mi”, shtoi ai.

Po ashtu në pjesën e dytë janë sjellë paketat që ofrohen për publikun për sigurime motorike, të jetës dhe jo jetës. Në një intervistë për “Pro Business”, Agena Stratoberdha, drejtore e Departamentit të Sigurimeve dhe Risigurimeve në Eurosig, flet për dëmet e paguara nga kompanitë.

Në total sipas saj tregu vetëm vitin që kaloi ka paguar 80 milionë Euro dëme, ku një pjesë të konsiderueshme e zë Eurosig dhe Insig.

“Insig dhe Eurosig për vitin 2024 kanë paguar rreth 20 milionë Euro. Ne Kosove, vetëm Eurosig Kosove ka paguar 9.3 milionë Euro”, tha Stratoberdha.

Sipas të dhënave tregu vijon të jetë i drejtuar drejt  sigurimeve motorike me detyrim dhe vetëm 32% e primeve të sigurimeve janë vullnetare.

/tvklan.al