Emisioni “Pro Business” në Tv Klan këtë shtunë sjell historinë e një vajze në fushën e biznesit në zonën e Niklës e cila që në vogëli është ushqyer me punën në fushën e prodhimit dhe tregtimit të mobilieve. Me “Lori Furniture”, Loredana Ulliri ka treguar se ja ka dalë të realizojë ëndrrën e saj falë edhe mbështetjes së familjes. Pavarësisht sfidave, ajo tregon se ndjehet e motivuar për të ecur më tej e madje ëndërron të hapë edhe biznese të tjera.
“Indiciet normalisht ishin edhe nga prindërit, por edhe pasioni që kisha unë për të bukurën dhe për të arreduar, më nxiti më shumë që të vazhdoj këtë ëndërr dhe këtë nismë duke marrë këtë rrugë. Pastaj prindërit gjithmonë i kisha mbështetje, por jo që ma imponuar ishte dëshirë e imja.”
Ka arritur të mposhtë edhe paragjykimet për punën që bën një zonë që më së shumti dominojnë burrat në biznes.
“Në fillim ishte e vështirë sepse dëgjoja fjalë të ndryshme të tipit, po pse s’more diçka tjetër, një drejtim tjetër. Pse pikërisht mobilierinë, ndoshta është për meshkuj?! Por që e vogël kam qenë e prirur për të bërë gjëra unike edhe se kam marrë shumë parasysh këtë pjesën e të folurit.”
Viti i pandemisë ka përkuar me nisjen e punës.
“Në fakt çdo biznes ka vështirësi, por jam me këtë që sfidat dhe gabimet i lë që të ndodhin sepse realisht të bëjnë ta kuptosh më shumë biznesin dhe punën që bën. Nuk ka lidhje fare me çfarë ke mësuar, çfarë ke në plan, sepse të del një surprizë që ti se pret. Dhe i kam hapur të gjitha pjesët e këtyre sfidave dhe nuk është se i marr me vështirësi apo më stres, por të vështirë mund të quaj vitin e parë që isha në punë. Sepse ishte direkt pas pandemisë dhe çdo gjë ishte nga zero, për të krijuar klientelë të re, materialet që mund të kishte mungesa në tregje dhe ishte e vështirë.”
Në kompani është e fokusuar të investojë në makineri e pajisje.
“Është shumë e rëndësishme që në mobilieri të investosh në makineri. Ti mund të blesh një makineri të fundit sot dhe nesër del një tjetër që e lehtëson shumë punën, asnjëherë nuk janë mjaft makineritë. Jemi munduar që të fusim teknologjinë e fundit dhe ia kemi dalë që të marrim goxha fryte nga kjo punë.”
Loredana Ulliri vjen edhe me një mesazh për të rinjtë:
“Më shumë doja të jepja një këshillë. Shqipëria është një vend që është i mbushur me shumë mundësi dhe nuk duhet ta kenë atë synimin sepse shpesh dëgjoj njerëz dhe studentë që mbarojnë studimet dhe thonë do ik do largohem. Por unë jam me këtë që Shqipëria ka goxha kushte, goxha mirësi dhe nuk duhet ta kenë synim të largohen nga Shqipëria, por të investojnë këtu.”/tvklan.al