Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata e Tiranës ka refuzuar të thërrasë si dëshmitar për padinë e ngritur nga 4 ish-drejtorë të SHISH të shkarkuar nga detyra, zotin Fatos Klosi dhe Ndre Legisi. Ish-kreu i SHISH Klosi dhe kryetari i komisionit të përhershëm për SHISH pranë Kuvendit të Shqipërisë Legisi, u kërkuan nga avokatët mbrojtës të 4 ish-drejtuesve Sokol Bare, Artan Meçi, Frederik Ymeri dhe Adriatik Muho.

Ata u shkarkuan nga puna pas disa lëvizjeve dhe uljeve në detyrë, pa iu komunikuar shkelja që kanë kryer dhe data e saj. Deri tani procesi gjyqësor është bërë me dyer të mbyllura dhe gjatë këtyre seanca është rrëzuar kërkesa e paditësve për ardhjen e këtyre dëshmitarëve.

Sipas ish-drejtuesve të departamenteve të ndryshëm në SHISH deputeti Ndre Legisi, ka marrë pjesë në disa kontrolle të kryer në këtë institucion dhe i kanë kërkuar atij, përmes një letre të paraqesë shkeljen e kryer. Ndërkohë seanca e radhës është shtyrë pasi drejtoresha aktuale e personelit në SHISH Vera Halilaj, nuk është paraqitur për arsye shëndetësore.

Bare, Ymeraj, Meçi dhe Muho kanë pasur postin e drejtuesve gjatë kohës kur SHISH drejtohej nga Fatos Klosi. Me shkarkimin e tij dhe emërimin e zotit Kujtim Hysenaj, katër drejtuesit u ulën në detyrë dhe në Mars të këtij viti u larguan nga puna, për këtë arsye ata kanë paditur në gjykatë kreun e SHISH Kujtim Hysenaj./tvklan.al