Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka vijuar në Gjykatën e Tiranës procesi gjyqësor në lidhje me padinë e kryeministrit Nano kundër gazetës “Koha Jonë” dhe botuesit Nikollë Lesi. Në seancën e sotme, pala e paditur përfaqësuar nga avokati Spartak Ngjela, ka argumentuar, se epitetet e përdorura respektojnë retorikën e shkrimeve shqiptare dhe nuk përbëjnë fyerje.

Spartak Ngjela: “Siç shihet, artikullshkruesi ka përdorur një figurë gjigandske, “mamuth”, e cila natyrisht nuk i fyen, por ju bën paditësve një kompliment, aq më tepër, që mamuthët kanë qenë gjigandë barngrënës, jo agresiv, të butë dua të them. Ne si mbrojtje nuk jemi dakord me një vlerësim kaq të madh që ka bërë gazetari, por ky është stil, nuk është fyerje”.

Avokati i palës paditëse, Fatmir Braka ka insistuar, se fyerjet morale në shkrim, janë të hapura.

Fatmir Braka: “Të flasësh botërisht, në mënyrë publike, me etiketime që përdoren në gazetë, kuptohet që përbëjnë atë që e quajmë fyerje dhe shpifje, për të cilat përgjegjësia është e parashikuar në ato dispozita të kodit civil, të cilat i kemi cituar në kërkesë padi”.

Pala e paditur ka kërkuar që në proces të merret një grup ekspertësh, si gjuhëtarë, kritikë e gazetarë, duke i lënë gjykatës dhe palës paditëse, të zgjedhin ekspertët sipas dëshirës. Gjykata ka rrëzuar këtë kërkesë, çka ka shkaktuar dhe reagimin të botuesit Lesi.

Nikollë Lesi: “Vendimi i gjyqtarit, që nuk pranoi marrjen e ekspertëve nga radhët e gazetarisë për të dhënë një ekspertizë të saktë për përshkrimin, ku pala paditëse e zotit Nano ka akuzuar “Koha Jonë” për shpifje dhe fyerje, ne e quajmë jo vetëm të padrejtë, por edhe një gjyq të parablerë./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj