Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria synon ndërtimin e dy spitaleve të reja gjatë në mandatin e katërt, duke u shprehur i sigurt për një fitore të thellë në zgjedhjet e 11 Majit. Duke iu përgjigjur komenteve të qytetarëve në rurikën e tij në “Facebook”, Rama tha se spitalet do të ndërtohen në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara dhe Italinë.

“Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka nisur bashkëpunimin dhe do të njehsohet me Qendrën Spitalore SHIBA në Izrael që u rankua e teta në botë për 2024-tën për nivelin e lartë të ekselencës . 2 spitale ultramoderne do të ndërtojmë gjatë mandatit të katërt, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara dhe me strukturën më të mirë spitalore të Italisë, një nga më të mirat e botës. 2 ekselenca botërore të cilat do të sigurojnë që të mos kemi më nevojë të çojmë askënd jashtë, pra asnjë operacion të komplikuar, por jo vetëm kaq, por do të vijnë këtu të kurohen edhe shqiptarët që janë jashtë, jo më o burra ikim në Turqi, ikim në Greqi, ikim në Itali, jo jo, ikim në Shqipëri. Më e mira është e gjitha përpara”, tha Edi Rama.

Tregoi dhe investime që janë bërë gjatë tre mandateve të socialistëve.

“Sot kemi 400 qendra të reja shëndetësore të bëra nga e para, që u shërbejnë 1.6 milionë qytetarëve. Kemi një urgjencë kombëtare me 320 automjete të pajisura me aparatura jetëshpëtuese që të gjitha. Kemi mjekë të mirëpaguar, 140 për qind më shumë sesa deri dje, infermiere me 112 për qind më shumë sesa deri dje. Paguajmë 120 milionë Euro për të rimbursuar barnat. Kontrollojmë gati gjysmë milionë njerëz në vit për shëndetin me analiza falas. Kryejmë 60 mijë ndërhyrje kirugjikale në vit dhe 164 lloj testesh laboratorike që deri dje bëheshin vetëm nëpër privat, copë copë. Sa këtej e sa jashtë. Janë kryer 16 milionë e 800 mijë ekzaminime me aparatura të fjalës së fundit dhe të gjitha janë falas”, tha Rama.

Tregoi se si e gjeti PS sistemin e shëndetësisë 12 vite më parë.

“E morëm detyrën në Shqipëri me spitale që ishin ndërtuar në vitet ’60-’70. Dhe ishin vetëm arrnuar në vitet ’90-2000. Një tmerr, me shtretër lufte akoma, me batanije nga ato ushtarake me qime si ato letër zmerile, banjot me ujë rrjedhje në korridor gjithandej, ilaçe harroje, pajisjet për operacione ishin të shekullit të kaluar, niveli i sterilizimit mysybet, infeksionet postoperatore më të lartat në Europë, mjekët heronj, jepnin dhe merrnin si në luftë. Në mes të Europës, shekulli i 21, autoambulancat ndizeshin me të shtyrë, urgjencat vareshin nga oraret e gjumit të rojeve që i linin hapur ato telefonat për të mos u përgjigjur me atë telin varur. Nuk po flas për qendrat shëndetësore, mesjetë e thellë, katastrofë” tha kryeministri Rama.

Theksoi dhe njëherë një ndër zotimet më të mëdha të PS, anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

“Qentë do të lehin shumë fortë deri me 11 Maj, por karvani do të shkojë aq përpara sa Shqipëria 2030-të do të jetë anëtare krenare e Bashkimit Europian”, tha Rama.

Klan News