Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga shënimi i 10-vjetorit të Procesit të Berlinit ende asgjë konkrete rreth bisedimeve të qeverisë gjermane dhe asaj të Kosovës për pjesëmarrje e kësaj të fundit në samit.
Ndonëse Kosova është pjesë e këtij procesi, ajo rrezikon të përjashtohet, së paku kështu sipas fjalëve të të dërguarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manues Sarrazin nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia.
Në përgjigje për Tv Klan, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se po punohet që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm.
E në ditën e unitetit të Gjermanisë, ambasadori gjerman në Kosovë nuk qartësoi nëse ka ndonjë marrëveshje konkrete, por tha se kanë punuar shumë që ky samit të jetë një sukses edhe për Kosovën.
“Derisa po flasim që Procesi i Berlinit feston 10-vjetorin e tij, ne kemi punuar shumë për ta bërë samitin e ardhshëm më 14 Tetor një sukses për Kosovën dhe gjithë rajonin, duke u fokusuar në funksionalizimin e plotë të CEFTA-s dhe mundësimin e tregtisë së vërtetë të lirë në rajon.”
Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar shpesh se ndalesa e importeve serbe është në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë.
Kosova arsyetohet se ka ndaluar importin e mallrave serbe për shkak të sigurisë.
Tv Klan