Kryeministri Rama në mbledhjen e asambleve socialiste për Tiranën, theksoi se si kurrë më parë vendi ynë është në prag të integrimit në Bashkimin Europian duke e cilësuar si historike këtë zhvillim.

“Ky është momenti historik për ta bërë këtë. Të gjitha të tjerat kalojnë, çdo gjë tjetër. Fjalët i merr era, ngjarjet harrohen, ato të përditshmet, nesër ka ngjarje të tjera, por kjo është historike, kjo është ngritja e dytë e flamurit dhe ne që jemi këtu jemi ata që e kemi këtë mision. Nuk mund të bëjmë ne gjë më të madhe për fëmijët tanë sot, sesa t’u japim pasaportën europiane”.

Rama shpjegoi arsyet përse duhet votuar Partia Socialiste më 11 Maj.

“Do votojmë për PS-në sepse vetëm nëse votojmë për PS-në masivisht, ne kemi mundësi që të bëjmë realitet të ditëve tona, atë që deri dje dukej sikur do ishte realitet pas vdekjes sonë sepse në fillim fare, kur dolën të gjithë në rrugë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa, e duam Shqipërinë si gjithë Europa” të gjithë kujtuan se mjaftonte të rrëzohej regjimi i kaluar dhe u bëmë Europë”.

Duke përsëritur qëndrimin për mbështetjen e drejtësisë së re, Kryeministri Rama theksoi se nuk duhet të ketë burgosje pa gjyq.

Si shembull mori vendimin e Strasburgut që theksoi se paraburgimi i ish-drejtorit të RTSH ishte i padrejtë.

“Arrestimi pa gjyq është i paligjshëm! Dhe mjafton të lexosh vendimin e Strasburgut për të kuptuar se sa shumë nga këto arrestime të paligjshme do t’i paguajë nesër taksapaguesi shqiptar në formën e dëmshpërblimit. Dhe kjo, më shumë sesa për SPAK-un, është një këmbanë që bie për gjykatësit. Dhe gjykatës që bëjnë marrëveshje me prokurorin përpara, apo që kanë frikë nga prokurori, gjykatësit, dhe që bien dakord që të kapin e të fusin njerëz pa gjyq në burg, janë problem”.

Rama përsëriti transformimin që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes socialiste.

Ai foli për rritjen e pagave, shërbimin e përmirësuar në spitale dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Klan News