Këngëtarja Olta Boka prej disa muajsh është përfshirë në eksperiencën e saj më të re si asistente noterie, me qëllim përvetësimin dhe shndërrimin në profesionin e saj të ardhshëm. E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ajo tregoi se synon të plotësojë formimin e saj juridik, me dëshirën dhe përkushtimin që një ditë vula të mbajë emrin e saj për shërbimet noteriale. Këngëtarja theksoi se lidhja e saj me muzikën është po e njëjta dhe e konsideron si profesionin e saj të përjetshëm.
“Momentalisht mbaj “titullin” asistente notere. Pas mbushjes së afatit 2-vjeçar është një provim, por e rëndësishme është që mua më tërheq shumë si profesion. E kam pasur pasion që e vogël. Pjesën e të qenit këngëtare nuk e kam pasur gjithmonë fokus, por ndonjëherë gjërat dalin jashtë parashikimeve. Fatit nuk ke çfarë i bën. Për talentin duhet të punosh, por nuk ke ndonjë meritë të veçantë, ndërsa si Olta jam munduar të bëj një gjë shtesë dhe këtu dua t’ia njoh meritat vetes. Ndodh që kur vijnë njerëz në zyrë dyshojnë që jam unë, por ka raste që e kuptojnë dhe më bëjnë edhe foto. Nga muzika nuk do të heq dorë, do jem prezente, por ky ka qenë një moment për të stabilizuar gjërat në jetën time”,
tha Boka.
/tvklan.al