Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat bashkë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka komentuar raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit tonë në rrugën drejt integrimit në BE.

Në fjalën e tij, Rama tha se raporti i KE është udhërrëfyes për rrugën tonë dhe sipas tij konfirmon se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të hapur negociatat.

Në një ndërveprim kompleks me të gjithë ministrisë, agjencisë, departamentet, nëpunësit civilë të përfshirë në procesin e përafrimit dhe që na ndihmon për atë çka e bën këtë proces unikal në funksion të ndërveprimit me BE. E kam thënë në më shumë se një rast që është një instrument që e ofron vetëm BE, për vende që për 1001 arsye janë në  fazë të ndërmjetme kalimi nga një stad  i caktuar, në një stad tjetër që është demokracia funksionale. Është shumë e rëndësishme se përtej vetë anëtarësimit është një proces i domosdoshëm për të pasur një shtet që funksionon në të gjitha normat dhe standardet e një shteti demokratik.

Raporti që marrim është një tjetër në një vazhdë të disa të tjerëve tanimë që Komisioni ka bindjen se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura në Këshillin Evropian dhe për të nisur diskutimin e anëtarësimin. Këtu dua të theksoj dhe diçka që e kam thënë dhe më herët në të gjitha instancat apo në forumet më të larta, se në gjejmë se KE një partner të drejtë të paanshëm, rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren.

Nuk gjendet në asnjë kryeqytet të vendeve anëtare, një strukturë e ngjashme apo ta konkurrojë nga cilësia e hulumtimit delegacionin e KE dhe BE në vendin tonë, që monitoron gjithçka ndodh. Ndërsa kur dëgjojmë se në një vend apo në një vend tjetër që ngrihen pretendime se është dhe kjo dhe ajo, këto janë të gjitha politike dhe nuk janë teknike. Prandaj raporti është udhërrëfyesi”, u shpreh Rama.

Rama liston gjetjet e progres-raportit të KE: E dimë që nuk jemi gati për të qenë anëtar në BE

Kryeministri Edi Rama teksa ka komentuar progres-raportin e Komisionit Evropian, ka listuar disa gjetje që ky raport thekson për vendin tonë.

Rama u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave, por nuk është gati për të qenë anëtare me të drejta të plota.

Dua të them shumë shkurt se së pari raporti e vulos se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit. Së dyti ka vijuar të përparojë në reformat kyçe që janë reforma të shtet-ndërtimit, duke filluar që nga Reforma në Drejtësi dhe Vetting-u shtet si sukses. Ku lufta nga krimit të organizuar dhe korrupsionit që huhet se po përparon. Ku respekti për liritë dhe të drejtat e njeriut konfirmohet si proces bazik në vendin tonë.

Ku politika dhe barazia gjinore vlerësohet. Ku progresi në funksion të një ekonomie tregu, përtej pengesave referohet si një përpjekje që përparon. Këto janë pikat kyçe, nga ana tjetër që të jemi të qartë, raporti nuk është vetëm një dokument që bën vlerësime pozitive, por është një dokument që nxjerr në pah problemet për të përparuar më tutje. Ne e dimë që nuk mund të bëhemi anëtarë me të BE”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë.

Negociatat, ambasadori Soreca: Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mblidhet deri në fund të vitit

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i ka dorëzuar Kryeministrit Edi Rama raport-progresin e Komisionit Europian për negociatat e Shqipërisë.

Në një konferencë shtypi me Kryeministrin Rama, ambasadori Soreca theksoi se Bashkimi Europian duhet të mbajë sa më shpejt Konferencën e Parë Ndërqeveritare, dhe sipas tij, kjo do të ishte mirë që të ndodhë deri në fund të vitit.

Pati edhe mbështetje mjaft të fortë për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë. Raporti vjetor bazohet te metodologjia e re dhe për mendimin tonë është një vlerësim i drejtë në Shqipëri. I janë dhënë merita Shqipërisë aty ku i takon merita. Në përgjithësi vlerësimi është që pavarësisht sfidave në një kontekst të shënjuar nga pandemia, Shqipëria ka vijuar me përparimet, për reformat që kanë të bëjnë me BE. Raporti konfirmon që Shqipëria i ka përmbushur kushtet që ishin përcaktuar nga Këshilli. Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe përpara fundit të vitit. Po ndodhin përpjekje intensive nga Bashkimi Europian. Shtyrja e negociatave për anëtarësim do të ketë ndikim negativ për BE-në”, deklaroi ambasadori Soreca.

Propozimet e PD për ndryshimin e Kushtetutës, Rama: Do t’i diskutojmë në mënyrë serioze

Kryeministri Edi Rama nuk ka preferuar të komentojë propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës.

Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadorin e BE, Luigi Soreca, për progres-raportin, kreu i qeverisë tha se propozimet do të diskutohen në mënyrë serioze dhe në fund do të jepet një përgjigje zyrtare pasi të ketw në diskutim të brendshëm.

Nuk është besoj unë etike që t’i komentoj këtu propozimet duke pasur parasysh që ne kemi dhënë disponim total për t’i diskutuar në mënyrë serioze në procesin e dialogut që sipas meje duhet të ushqehet në vullnet të mirë mes palëve. Më ndjeni që nuk do të jap opinione, derisa të ushqehet ky dialog. Do të kemi vullnet të mirë që të dëgjojmë dhe të kemi mundësinë që të dëgjohemi.

Unë dëshiroj që ne t’i japim një shans të plotë dialogut, opozita ka bërë tre propozime, por mund të bëjë dhe më shumë. Ne kemi detyrën që t’i japim mundësi këtyre propozimeve që të diskutohen dhe të mos japim opinione përfundimtare. Jemi gati, por t’i diskutojmë drejtpërdrejtë me ta”, tha Kryeministri.

Liria e medias, Soreca: Të marrin fund sulmet dhe baltosja ndaj gazetarëve

Ambasadori i BE, Luigi Soreca i ka kushtuar rëndësi edhe një pike të progres-raportit të Komisionit Europian, atë që ka të bëjë me lirinë e medias në vendin tonë.

Gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin Rama, Soreca u shpreh se fushata e baltosjeve dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve duhet të marrin fund.

“Më lejoni që të flas për një çështje për të cilën ka shqetësime dhe e cila duhet shprehur, dhe këtu një prej këtyre fushave është liria e fjalës, e të shprehur. Kjo atmosferë e sulmeve verbale dhe fushata baltosjeje, këto veprime frikësimi kundër gazetarëve nuk duhet të vijojnë dhe më shumë duhet bërë për të patur rregullatorin e medias. Vetërregullimi i mediave online duhet të sigurohet, dhe Parlamenti e Qeveria duhet që të angazhohen për të siguruar ndryshime për ligjin e medias.

Një fushë tjetër është edhe ajo që ka të bëjë me pakicat dhe procesi i regjistrimit të pronave, shpronësimi ose kompensimi duhet të avancojë”, u shpreh ambasadori i BE, Soreca.

Patronazhistët problem në raportin e KE, Rama: Jam shumë krenar për ta

Kryeministri Edi Rama teka ka komentuar progres-raportin e KE ku flitej dhe për patronazhistët, u shpreh se është shumë krenar për ta.

Sipas kreut të qeverisë, pa patronazhistët  PS sot nuk do të ishte në pushtet dhe shtoi se të gjitha partitë në SHBA e BE kanë sistem të tillë në stukturën e anëtarësisë.

Që nga Shtetet e Bashkuara, në Britani, në Europën Perëndimore dhe Lindore, që është pjesë e BE. Nuk ka parti politike pa patronazhistë, mund të ketë emra të tjerë, por kanë kudo. Unë jam krenar për patronazhistët, më shumë para zgjedhjeve. Ne pa patronazhistët nuk do ishim një makineri politike, por një Foltore. Raporti flet për pretendime që po hetohen dhe jo për fakte”, tha Rama.

Më tej tha se për patronazhistët mund të hetohet, por sipas tij në bazën e të dhënave në PS nuk ka pasur kartat e identitetit të qytetarëve.

Ne nuk kemi pasur në bazën tonë të të dhënave këtë element, kartat e identitetit, këto janë çështje që le të hetohen ne nuk kemi asnjë problem. Që ta përmbyll jam shumë krenar me patronazhistët më shumë se para zgjedhjeve, në këtë fitore kontributi i patronazhistëve është i padiskutueshëm”, tha ai.

Rama për lirinë e medias: Shqipëria është vendi me lirinë më të lartë të shpifjes

Kryeministri Edi Rama mohon që të ketë ndikim në progres-raportin e Komisionit Europian sa i përket vërejtjeve për lirinë e medias, duke thënë se ka ndryshuar sjellje në raport me gazetarët.

Në konferencën për shtyp me ambasadorin e BE, Luigi Soreca, ku edhe ky i fundit i mëshoi lirisë së medias dhe respektimit të gazetarëve, Kryeministri Rama tha se në Shqipëri nuk ka probleme në këtë aspekt, por sipas tij, vendi ynë ka në nivele të larta lirinë e shpifjes.

E megjithatë, pavarësisht se përsëriti disa herë që nuk është dakord me shumë pyetje të gazetarëve, Kryeministri Rama theksoi se do të jetë ai që do të bëjë një hap prapa në këtë aspekt.

“Kjo pyetje lidhur me lirinë e medias është një mundësi shumë e mirë për t’ju thënë se si ne duhet të adoptohemi në përpjekjen që të bëhemi pjesë e kësaj familje. Unë nuk jam dakord personalisht, as me atë që thotë raporti, as me idenë që këtu liria e medias është në pikëpyetje. Nëse ka një vend ku mund të thuash çfarë të duash dhe nuk të hyn gjemb në këmbë, madje mund të shkosh përtej kufijve të imagjinatës duke sajuar për kë të duash, ky vend quhet Shqipëri.

Por nga ana tjetër pavarësisht se unë nuk jam dakord, përgjegjësia ime, përgjegjësia jonë në tërësi është që të kuptojmë që në këtë familje ka disa koncepte, ka disa mënyra të të parit të gjërave që ne duhet t’i bëjmë tonat. Dhe unë e kam filluar nga vetja. Të paktën, në progres-raportin e 2021 unë nuk kam dhënë ndonjë kontribut duke kthyer përgjigje siç unë në fakt i mendoj dhe më vijnë prapë, por nuk i nxjerr më nga goja me ju. Nuk e kam bërë më parë me idenë që t’ju vë në pozitë të vështirë, as me idenë që t’ju kërcas dhëmbët si i pari i punës, e kam bërë thjesht si një individ që vjen nga aty ku keni qenë ju që ndihet në të drejtën e vetë që të kthejë përgjigje njësoj si të ishte si ju, por mesa duket duke harruar që në fund të fundit prapë nuk jemi njësoj dhe më takon mua që t’i shtrëngoj dhëmbët dhe nuk ju takon juve mbase. Kështu që unë për veten time tek ai raporti nuk kam asnjë gisht.

Në aspektin të anti-shpifjes, ne nuk e kemi çuar përpara. Nëse më thonë që kemi shqetësim me pavarësinë e televizionit publik shqiptar, nuk e di kur ka qenë ndonjëherë në histori më i pavarur dhe ku është më i pavarur që bën çfarë të dojë dhe nuk ka asnjë ndikim. Megjithatë, ne e dëgjojmë, adaptohemi. Përsa më takon mua, këtu liria e shpifjes është në nivelin e vetë më të lartë, nuk ekziston një liri shpifje, mendoj unë, në asnjë nga vendet ku mund të them se e kam një ide, nuk ekziston. Liria e shpifjes në Shqipëri është në nivelin më të lartë. A është kjo liria e medias? Mua nuk më duket. Por do adoptohemi, nuk kemi dy rrugë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al