Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Projekti i polemizuar i qeverisë shqiptare me General Electric për modernizimin e hekurudhës për linjën Tiranë-Durrës, pritet të zbatohet në Qershor. Ky projekt ishte shtyrë pas vërejtjeve të Bankës Botërore. Aktualisht një grup pune po rishikon kushtet e kredisë dhe studimin e fizibilitetit.
Spartak Poçi: “Me kërkesë të Bankës Botërore, neve po bëjmë një rishikim, të disa prej termave kryesore të studimit të fizibilitetit, i cili mendojmë të përfundojë pas katër javësh, paralel me këtë po ecet me pjesën e dytë ose kontratën financiare dhe mendojmë që para fundit të 6 mujorit, pra në fillimet e Qershorit, projekti të jetë gati për të nisur zbatimin e tij”.
Ministri i Transportit Spartk Poçi nënshkroi me kompaninë italiane Fantucci Reggiana, marrëveshjen në lidhje me zbatimin e një kredie prej 17 milion eurosh akorduar nga Banka Europiane e Investimeve. Kredia parashikohet të përdoret për investime në portin e Durrësit që konsistojnë dhe në rritje të kapaciteteve përpunuese të kontenierëve për transportin e mallrave./tvklan.al